E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fishekzjarret, festë apo atavizëm

Prof. asc. Sazan GURI Gjithkund në botë dhe nga gjithkush dëshirohet, që viti i ri të pritet me shkrepëtima fishekzjarresh deri në tam tame e zhurma, si për të treguar që boll më me këtë vit që pata, mjaft më me këto probleme që kisha, sikter ato halle që hoqa. Ndërsa në vendet e botës së qytetëruar, njerëzit mblidhen së toku nëpër “down town-et” e tyre, për të ndjekur dhe numëruar së bashku e njëzëri sekondat  e para të këtij kapërxyelli ritmik e të pandalshëm të tokës, tek ne akoma vazhdon që njerëzit të mblidhen si në një mixhilis të pashoq, ku meqenëse nuk kanë ndonjë mekanizëm që t`ju tregojë sekondat e fillimit të vitit, e masin atë secili në dëshirë të vet, secili në orë të vet, secili në hesap të vet, por ajo që është më e keqja, secili në qejf të vet, si për të treguar atë, që ne shqiptarët bëjmë atë, që nuk bën dot bota, por jo si Japonia pas Luftës Dytë Botërore që donte të bënte atë që nuk dinte bota ose si për të vërtetuar atë, që anglezët parapëlqejnë të na cilësojnë se shqiptarët janë të mirë, por ç`e do nuk janë të arrirë.  Dhe dëshira e tyre asnjëherë nuk njeh kufi. Ata fillojnë me bam bumet shashka, qysh në ditët e para të dhjetorit, si për të treguar që luftën me zhurma e duam jo për një copëz here. Dhe ora e tyre kurrë nuk rreh njësoj. Dikujt, viti i ri i fillon me Krishtlindjet, lunatikëve i nis dhe iu bitis me kalendar hënor, ndërkohë që syresh të tjerë shpërthimin e plasjes së zjarreve e fillonin në fakt sipas ciklit tokësor, por ora iu lëvizte biologjikisht sipas gjatësive meridionale gjeografike, si për të treguar zonat apo katundet nga ata vinin. Dhe jo rrallë hesapin e tyre e bëjnë pa hanxhi. Hiç qejf qeder, që tjetri tromakset, zemra i batakset, aq sa jo pak qytetarë shokohen për një çast si të zënë në befasi nga një gjëmim lufte dhe jo nga një gëzim feste. Dhe qejfin shpesh e kanë të pafre, sidomos ata që iu fillon kënaqësia kur të tjerëve iu fillon mërzia, veçanërisht ata që nuk iu fillon liria kur të tjerëve iu mbaron. Me pak fjalë, i gjithë vendi (dhe vetëm pothuaj ky vend) për rreth një muaj të çdo fund viti gdhihet patëllxhan dhe ngryset piper, si në kushte terrori, ku një grup i armatosur gjoja si për festë shfren instiktet e një lufte që ëndërron, por ja ç‘e do që shyqyr zoti nuk i shkon. Për rreth një muaj të çdo fundviti, turma baballarësh e mamallarësh që për dreq nuk bëhen pak (arrijnë deri në gjysmë të popullsisë së një kombi), blindojnë fëmijët e tyre me shashka e zjarr fishekësh, jo më tepër se të gëzojnë se sa të shfrejnë atë që s‘mundin dot vet. çfarë? Të kanosin gjysmën tjetër të butë e civile të këtij kombi. Interesi pa fre dhe injoranca e njërës gjysmë përbëjnë ato pak gjëra që vetëm shtypin gjysmën tjetër. Për rreth një muaj të çdo fund viti, një gjysmë e popullsisë e gatshme për potere bën që të rinjtë e gjysmës tjetër të harrojnë zbavitjet, gratë qeverisjen e shtëpive, adhuruesit adhurimin, tregtarët fitimin, mjekët të sëmurët, pleqtë hallet e tyre. Për rreth një muaj të çdo fundviti, një gjysmë e popullsisë në vend se të jetojnë zhgryhen, në vend se të ushqehen hanë, në vend se të ecin zënë pusi, në vend se të flasin bërtasin dhe në vend se të lexojnë, me shashka të dënojnë.Duhet të kemi parasysh se lëndët eksplozive, qofshin dhe fishekzjarre, gjatë shpërthimit të tyre, kurrsesi nuk digjen totalisht edhe për faktin se asgjë nuk zhduket, por transformohet nga një lëndë në një lëndë tjetër. Në përbërje të barutit të fishekzjarrit ndodhen squfur (S), karbon (C), nitrat kaliumi (KNO3), dhe në përbërje tek shashkat e dorës ndodhen elementë të grupit të lantanideve, si p.sh. ceriumi, fulminati i merkurit, të cilët krijojnë mbingopje të tretësirave, duke dhënë prej shkarkimeve një ndotje të mjedisit. Nga ana tjetër dihet, që baruti i tyre ka në përbërje të tij trinitro-toluen (TNT), si dhe acid klorpikrik, të cilët janë gjithashtu shumë të rrezikshëm për mjedisin. Credito experto-besojini ekspertit, të porosit një fjalë e moçme e kohës së ciceronit. Kjo ndotje ndërhyn në vetitë fiziko kimike të ajrit, duke e shndërruar atë me parametra të tjerë gjenetiko-strukturor. Por, edhe armët që përdorin nuk janë pak. Rreth dy milionë zjarre fishekësh shkrepen në ajrin shqiptar edhe pse mjaft është i ndotur. Me rreth 200 bam bume shashkash, me zgjatje 1-2 sekonda dhe me frekuencë mesatarisht çdo 5-6 minuta ballafaqohet në ditë çdo person, çka e bën që t‘i duket vetja, si në një luftë civile të vërtetë, as më pak as më shumë si në Irak apo Palestinë, pse të shkoj larg as më pak e as më shumë si në ‘97. Bilanci, 30 a më tepër të plagosur në një natë. A nuk është kjo shifër konkurruese me një luftë? A nuk më thoni ç‘është kjo dëshirë për të memorizuar një ogur të zi? Si mund të përkujtosh forma të tjera të saj? Thonë që këto përjetime, shqiptarët nuk i kanë kaluar as përgjatë kohës së Skënderbeut, turkut, italianit apo gjermanit, sepse atëherë luftohesh në shesh mejdani, por thonë që jo rrallë i ka ndodhur në kohë të shejtanit, si ajo e haxhiqamilit, apo përgjatë viteve ‘20 -‘24, ‘45-‘50, ‘97, sepse kësi kohësh shqiptari ka dash dhe ka luftuar me vetveten në shesh mejhani. Druaj se kaq motmote (100 vjet) janë pak për të formuar një tipar, aq sa edhe kur nuk të duhet ajo të të shërbejë si një atavizëm, por jo krenare siç jemi mësuar ta përshkruajmë shkrepëtimën e një arme, qoftë edhe kur është prej lodre apo zjarr fishekësh. Por 2000 vjet, kur shqiptari harroi tokën të plugojë, (dihet që para kësaj kohe, shqiptarët e at‘hershëm-arbanët dhe keltët mbaheshin si bujqit më të mirë të tokës), 1000 vjet kur shqiptari pas çdo lindje mashkulli për luftë pushkët i harxhoi, 500 vjet kur shqiptari nizam nisi të shkojë dhe armët të vringëllojë, mjaftojnë të gdhendin një veti, madje ta stamposin atë në gjak.  Ndaj dhe nuk është e rastit, që me sa dëshirë edhe një fëmijë, që as nuk ka dëgjuar për këto shkrepje në mijëvjeçarët e stërgjyshërve të vet, e hedh një shashkë jo për të gëzuar vetveten, por me ndjesinë e trashëguar brezash shekullorë, për të dëmtuar të tjerët. Ju kujtojmë se fëmijët e çifutëve të vrarë kishin të njëjtin sindrom pasigurie të trashëguar prej prindërve e gjyshërve, megjithëse nuk i kishin parë e prekur ata. Në një kohë, kur kombet sa vijnë e po i afrohen njëri- tjetrit, në një periudhë kur popujt sa vijnë e po përfitojnë nga njëri-tjetri, në një epokë kur shtetet apo vendet sa vijnë e po shkrihen me njëri-tjetrin, ne banorët e shekullit të ri të këtij vendi, si për t‘u hakmarrë ndaj kësaj mos përfshirje, ne bashkëkombasit e këtij shteti, si për të mospërfillur këtë bashkëjetesë globale zbresim akoma nga periferitë baltovine me qese plastike me zjarr fishekësh, në vend të dikur torbave me fishekët me zjarr. I drejtohemi tufë-tufë qendrës së një qyteti, ashtu në errësirë, jo për të ndarë hidhërimet e një viti, as me kokën lart për të pritur bekimin e zotit, por për të drejtuar tytat e zjarreve të fishekëve, si dikur tytat e pushkëve njëri-tjetrit. Dhe pse? Sepse një qeveri pa tjegulla, normalisht dhe pa rregulla, nuk konfiskon dot thasët me barut, sepse një bashki që natyra e ka krijuar për punë të mëdha nuk është në gjendje të shkrepë një bateri fishekzjarresh, sepse një akshën qytetar do të dëmtojë dhe jo të gëzojë, sepse një akshën tjetër qytetar druhet një të drejte të kërkojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›