Opozita, rikthehen protestat
Aristir LumeziOpozita do të fillojë sërish protestat. “Hap kutitë ose zgjedhje të parakohshme” pritet të jetë lajtmotivi i protestave të janarit, që do të organizojë opozita e bashkuar. Këtë javë do të mblidhet tryeza e kryetarëve të partive opozitare, të majta dhe të djathta, të cilat do të përcaktojnë strategjinë e re opozitare për protestat. Kreu i Partisë G99, Erjon Veliaj tha dje se “tryeza do të përcaktojë kalendarin e protestave në këtë vit që sapo ka filluar, protesta që nuk do të ndalen deri në zbardhjen e procesit elektoral të 28 Qershorit dhe hapjen e kutive të votimit”. Në selinë rozë përgatitjet për këtë tryezë dhe për strategjinë e re opozitare nuk bëhen publike dhe se me këtë çështje po merret numri dy i PS-së dhe një nga sekretarët e saj. Detaje nuk jepen, por mësohet se protestat pritet të zhvillohen në qytetet kryesore të vendit, për t’u finalizuar në Tiranë. Por data e protestës së Tiranës, nuk do të jetë para qetësimit të situatës hidrike në veri-perëndim të vendit, ku zona të tëra janë përmbytur nga reshjet e dendura të shirave të ditëve të fundit. Protestat e opozitës do të alternohen mes kërkesës për hapjen e kutive të votimit ose kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme me shqetësimin e pushtetit vendor për zvogëlim të kompetencave nga ana e qeverisë, por dhe krizës ekonomike që pritet të ketë ndikim dhe në vendin tonë. Takimi i partive opozitare vjen pas një periudhë, ku aleatët kanë munguar në protestat për hapjen e kutive të votimit. Tashmë janë mbushur 4 muaj që 64 deputetët e PS-së bojkotojnë punimet e parlamentit, ndërkohë që një koalicion i gjerë partish opozitare dhe shoqatash protestojnë në të gjitha qytetet e Shqipërisë për rinumërimin e votave, strategji kjo që mesa duket do të jetë sërish në qendër të veprimit opozitar.Socialistët nisën protestat e tyre për hapjen e kutive të votimit në 10 tetor në Tiranë, për të vazhduar në të gjithë vendin. Ky tur protestash u finalizua përsëri në kryeqytet në një nga protestat më të mëdha që ka zhvilluar opozita. Në 20 nëntor mijëra protestues të ardhur nga i gjithë vendi tubuan në një protestë 48-orëshe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u ngujuan në tenda përballë godinës së kryeministrisë. Pasi nuk morën asnjë përgjigje nga Kryeministri dhe Maxhoranca për kërkesat e tyre, opozitarët vendosën një afat 10-ditor, nga i cili përsëri nuk morën asnjë përgjigje. Turi i dytë i protestave të opozitës, u zhvillua vetëm me përfaqësuesit dhe mbështetësit e PS-së. Në protestat e para 20 nëntorit 2009, protestat e opozitës në qytetet kryesore të vendit, bënë të mundur bashkimin rreth kauzës së PS-së, jo vetëm partitë e majta opozitare, por dhe ato të djathta. Protesta që lidheshin dhe me çështjet e pushtetit vendor, u zhvilluan vetëm me përfaqësues të PS-së, gjë që solli dhe pakënaqësi nga aleatët e majtë. Madje kjo mungesë e komentua në mënyra të ndryshme dhe nga drejtues të partive të majta, të cilët kërkuan të jepnin kontributin e tyre në aksionin opozitar. Paskal Milo“Nuk jemi mbledhur që të diskutojmë nëse do të ketë veprime të përbashkëta opozitare apo do të ketë veprime të veçuara të PS. Kemi tashmë mbi tre javë që mungon komunikimi i drejtpërdrejtë për të biseduar se çfarë do të bëhet në muajin janar e më tutje. Kemi dëgjuar nga kryetari i PS dhe të tjerë të saj që do të ketë manifestime opozitare të përshkallëzuara, por përtej këtij informacioni, nuk kam asnjë të dhënë tjetër”.Edi RamaKreu socialist gjatë një interviste në një të përditshme u shpreh se nëse nuk hapen kutitë nuk deputetët e PS-së nuk do të hyjnë në kuvend edhe pas 7 marsit. “çdo mandat i yni është mandat i popullit dhe as digjet, as transferohet, siç padyshim ëndërron Sali Berisha. Në rast se Sali Berisha do të vazhdojë ta refuzojë kërkesën tonë kushtetuese e ligjore për hetimin e transparencën e plotë të zgjedhjeve, festa e mësuesit do të na gjeje jashtë Parlamentit”, është shprehur Rama.