Apeli lë në burg këshilltarin bashkiak të Vlorës
Vlorë- Gjykata e Apelit ka vendosur dënimin me 1 vit burg për Thanas Lalucin, ish Drejtori i Bankës së Kursimeve në qytetin e Vlorës, aktualisht anëtar i këshillit bashkiak dhe kryetar i partisë Demokracia Sociale për Vlorën.
Pas Gjykatës së shkallës së parë, e cila i kishte dhënë këtë dënim, ka qenë ajo e Apelit që ka vendosur këtë masë ndaj Lalucit, por duke i shtuar dhe një gjobë prej 5 milion lekësh të vjetra, masë e marrë nga 3 gjyqtarët e ardhur prej Gjirokastrës në bazë të kërkesës së prokurorit të Apelit Aleksandër Goga.
Historia që implikon Lalucin daton në prill të vitit 2002, kohë në të cilën ish-drejtori, ka lidhur kontratën e shitblerjes së sipërfaqes së truallit të transferuar në pronësi të Bankës së Kursimeve për mos shlyerje të kredisë. Kjo kontratë ishte lidhur me një shtetas dhe sipas saj, blerësi ka përfituar pronësinë mbi këtë sipërfaqe, kundrejt një shume prej 3 milionë e 400 mijë lekë.
Pikërisht kjo procedurë shitblerjeje nga ana e ish-drejtorit Laluci, është cilësuar e paligjshme, pasi veprime të tilla mund të kryheshin vetëm nga Agjencia e Trajtimit të Kredive. Përveç këtij fakti, vlera e shitjes rezulton të jetë më e vogël nga detyrimi që debitori duhej t’i shlyente bankës dhe që ishte në vlerën e 6.9 milionë lekëve.
Akuza që rëndonte ndaj tij është ajo e shpërdorimit të detyrës, që ka sjellë për pasojë dëme të konsiderueshme ekonomike interesave të shtetit.