Apeli lë në fuqi dëmshpërblimin
TIRANE – Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi dje të linte në fuqi, duke i dhënë formë të prerë, vendimin për dëmshpërblimin me nga 3 milionë lekë të reja për dy botuesit e veprës “Vilsoni dhe Genci”, Sadik Bejko dhe Bedri Blloshmi. Vendimi u shpall mesditën e djeshme, ndërsa pala e paditur në këtë proces, shtëpia botuese “Marin Barleti” me administratore Mimoza Ahmeti, nuk ishte e pranishme në seancë. Një vit e gjysmë më parë gjykatësja Majlinda Doga, në Gjykatën e Tiranës vendosi që Bejko dhe Blloshmi të përfitonin dëmshpërblim nga 3 milionë lekë të vjetra secili, për dëmin jo pasuror të shkaktuar nga shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Konflikti mes dy paditësve dhe shtëpisë botuese nisi disa vjet më parë, kur doli në qarkullim libri “Poetët e Bërzeshtës”, i botuar nga shtëpia botuese “Marin Barleti”. Sadik Bejko e Bedri Blloshmi janë bashkautor të librit “Vilsoni dhe Genci”, botuar në vitin 2006 nga shtëpia botuese “55”. Ata pretenduan në gjykim, nëpërmjet avokatit të njohur Përparim Rama, se shtëpia botuese “Marin Barleti” me botimin “Poetët e Bërzeshtës”, ka shkelur ligjin për të drejtat e autorit dhe po ashtu ka cenuar rëndë të drejtat e paditësve, sepse me dashje dhe me qëllim të caktuar jo vetëm ka botuar pa leje një vepër të të tjerëve, por e ka gjymtuar dhe shëmtuar këtë libër për t’i humbur vlerat e vërteta jo vetëm artistike, por edhe historike e publicistike. Sipas paditësve, kjo vepër në botimin origjinal demaskon rëndë regjimin diktatorial e tiranik të komunistëve shqiptarë, si dhe vë në vend nderin e dinjitetit e dy poetëve martirë. Po kështu paditësit pretenduan se ky botim u ka cenuar rëndë personalitetin e tyre si krijues. Ndërsa pala e paditur në gjykim ka pohuar se pretendimet e paditësve nuk qëndrojnë, pasi shtëpia botuese “Marin Barleti”, nuk ka pasur motiv të cenonte personalitetin e tyre. Libri i botuar nga ana e të paditurit është shtypur sipas kontratës së lidhur me Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë. Shtypshkronja ka bërë vetëm faqosjen e veprës “Poetet e Bërzeshtës” në përputhje me kërkesat e kontratës së lidhur me IIPP dhe materialet e dorëzuara në shtypshkronjë për këtë qëllim. Pasi dëgjoi këto pretendime nga palët, gjykata argumentoi se: “ekzistonte dëmi moral pasi paditësit janë cenuar në të drejtën e tyre personale jo pasurore, pra u është cenuar nderi dhe personaliteti. Dëmi ka ardhur si rezultat i botimit të “Poetët e Bërzeshtës”, që është një kopje jo e plotë dhe e deformuar e librit “Vilsoni dhe Genci”. fa.ma.