E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënkryetari i shkarkuar,padit KMSH-në në gjykatë

 

Fatos Mahmutaj

Saimir Rysheku, nënkryetari i shkarkuar pak ditë më parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar depozitoi dje në Gjykatën e Tiranës një kërkesë-padi, me të cilën kërkonte të shpallë të pavlefshëm dhe arbitrar komunikimin për largimin nga posti në KMSH. Lajmin e pohon vetë Rysheku, i cili pretendon se, pasi është konsultuar me juristë ka përpiluar kërkesë-padinë dhe e ka depozituar atë në gjykatë, ku pritet që brenda pak ditësh të hidhet shorti elektronik dhe të caktohet gjykatësi që do e shqyrtojë atë. Rysheku pohoi dje se komunikimi i shkarkimit të tij më datë 12 tetor nga kryetari Selim Muça ishte bërë në shkelje të statutit mbi të cilin funksionon institucioni i KMSH-së dhe se vendimi ishte marrë në mënyrë arbitrare. Duke sqaruar Rysheku pohon se gjithçka kishte nisur pas një mbledhjeje që ishte zhvilluar pasditen e 9 tetorit në KMSH, ku ky nuk kishte qenë i pranishëm pasi nuk ishte njoftuar. “Ditën e hënë më 12 tetor më komunikuan shkarkimin, për shkak të mosparaqitjes në mbledhje”, tha Rysheku duke pretenduar se ai nuk kishte pasur dijeni për këtë. “Shkarkimi im mund të bëhet vetëm nga Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i KMSH-së, pasi kjo është rruga ligjore që parashikon edhe statuti i KMSH-së”, pohoi ai. Aktualisht Rysheku mban detyrën e drejtorit të Arsimit në Komunitetin Mysliman Shqiptar, ndërsa pak ditë më parë kreu i KMSH-së, Selim Muça, i komunikoi rotacionin në këtë post me Betim Truçin. Pas kësaj të dyja palët publikuan në media prononcime për këtë problem, ku Rysheku akuzoi kreun për falsifikime të mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues dhe abuzime me pronat e myslimaneve, ndërsa Muça pohoi se Rysheku nuk ishte pushuar nga puna, por ishte lëvizur në një pozicion tjetër brenda institucionit. Pak ditë më parë, Rysheku pretendoi në media se shkaku i shkarkimit të tij nga detyra ishte denoncimi dhe kundërshtimi që u kishte bërë funksionarëve të KMSH-së, përfshi edhe kryetarin Selim Muça për abuzimet e shumta që kanë bërë gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas Ryshekut, shkak për shkarkimin e tij ishte kundërshtimi i faktit që KMSH ka caktuar çmim dysheme për ritualin e Haxhit 2300 euro, ndërkohë që shumë shoqëri turistike kanë ofruar çmime më të ulëta, deri në 1800 euro. Ky fakt ka sjellë debat edhe në mesin e besimtarëve, të cilët kanë refuzuar shumën dysheme të caktuar nga KMSH. Ndërsa Rysheku pretendon se ka përkrahur besimtarët, duke shkaktuar kështu përplasje me kryetarin Muça.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›