E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taulant Balliu, çmim për poezinë në burg

 

TIRANE – Të burgosur që vuajnë dënimin në burgje të ndryshme të vendit ishin dje protagonistët e një aktiviteti të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në sallën e Teatrit Kombëtar. Edhe pse ishte sjellë në pranga, forcat e rendit çliruan për pak çaste Taulant Balliun, i burgosur në burgun e Peqinit, kur ai u ngjit në skenë për të marrë çmimin e parë për një krijim poetik. I ideuar për të promovuar trajtimin human të të dënuarve për rehabilitimin e tyre, aktiviteti filloi me një ekspozitë të punimeve artistike të të burgosurve, ndërsa më pas me prezantimin e arritjeve të deritanishme në sistemin e burgjeve dhe vlerësimin e të burgosurve. Ndryshimi i kushteve të burgjeve që para viteve 1990 e deri në ditët e sotme u paraqitën me anë të tre dokumentarëve fotografikë të shfaqur përpara pjesëmarrësve. Në aktivitet merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, zëvendësministri i Drejtësisë, Ermal Dobi, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, si dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu dhe Sherif Merdani. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Dibra, pohoi se sistemi i burgjeve si dhe trajtimi dhe perceptimi për njerëzit që vuajnë dënime kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Ndërsa për punësimin e të burgosurve Dibra tha se, “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po punon intensivisht për të krijuar të gjitha hapësirat për punësimin e të dënuarve jashtë I.E.V.Penale”. Ndërsa zëvendësministri Dobi theksoi investimet e kryera nga qeveria në sistemin e burgjeve.                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›