Berluskoni nuk shkon në takimin e BE, “është i sëmurë”
Përveç telasheve të jetës private, Silvio Berluskoni po ‘persekutohet’ edhe nga shëndeti. Kryeministri italian do të mungojë në takimin e Brukselit të Këshillit Evropian, pasi është i sëmurë nga simptoma të pazakonta për moshën e tij. Përfaqësuesi i Italisë në këtë takim do të jetë Ministri i Jashtëm, Franko Fratini. Lajmin për sëmundjen e kryeministrit të përfolur italian e ka bërë publik pikërisht Fratini. Ai tha në Luksemburg se “për gjendjen që është mjekët nuk e lejojnë Berluskonin të lëvizë. Këtë mëngjes bisedova me Presidentin e Këshillit (kryeministri Berlusksoni) dhe nuk mendoj se ai do të udhëtojë dot. Do t’ju duhet të kënaqeni me mua”, tha ai duke bërë shaka me gazetarët. Lajmi për sëmundjen e Berluskonit është hapur në Itali që një ditë më parë, pasi ai ka pasur simptoma të një forme skarlatine, e cila i është transmetuar nga një prej nipërve të tij. Kryeministri italian për momentin po qëndron në Milano. Edhe pse nuk është deklaruar ende zyrtarisht ka mundësi që Berluskoni të mos udhëtojë as për në Romë sot për të drejtuar Këshillin e Ministrave.