Aneta Rama kërkon heqjen e imunitetit të kryeministrit
Laureta Rryçi
Ndërsa Aneta Rama, nëna e Edi Ramës, nuk lëshon pe ndaj kryeministrit, nga ana tjetër duket se mbrojtja e vetme për Berishën ka mbetur fshehja pas foltores së politikës. Avokati i Aneta Ramës kërkoi ndëshkim për shefin e qeverisë, avokatia e Berishës duket se e ka gjetur zgjidhjen për klientin e saj duke mos u shprehur se thëniet ishin të pavërteta, por duke u justifikuar se ishin vetëm deklarata politike. Në seancën e radhës në Gjykatën e Lartë pati një sërë pretendimesh mes palëve në proces. Megjithatë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Aneta Ramës për pjesëmarrjen e një prokurori në padinë e saj kundër kryeministrit Sali Berisha. Avokati Arjan Salati i kërkoi kolegjit penal se në bazë të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, mbështetur në pikën 2 të të cilit flitet për pjesëmarrjen e prokurorit për këtë proces, i cili vendos për dënimin ose pafajësinë. Por, përfaqësuesja e kryeministrit Sali Berisha, Erinda Ballanca, argumentoi se kishte kaluar faza e thirrjes së prokurorit dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës së palës paditëse. Kolegji penal, për rreth një orë ka diskutuar në dhomën e këshillimit dhe vendosi rrëzimin e kërkesës së palës paditëse, duke shpjeguar se aktualisht ishin në një fazë për shqyrtimin nëse duhet hequr imuniteti apo jo. Pas rrëzimit të kërkesës, avokati i Aneta Ramës lexoi padinë civile duke kërkuar përfshirjen e saj në padinë penale.
Pretendimet
Në këtë padi, mbrojtësi i Ramës u shpreh se Berisha kishte cenuar nderin dhe personalitetin e klientes së tij. Ndërkohë që mbrojtësja e kryeministrit shpjegoi se nga pala akuzuese u pretendua për një dëm moral dhe jo dëm material, dhe Gjykata e Lartë nuk është kompetente për gjykimin moral. Kolegji penal, pasi i dëgjoi të dyja palët, shpalli moskompetencën lëndore, duke ia deleguar çështjen Gjykatës së Shkallës së Parë. Më pas gjykata ka vazhduar me marrjen e provave. Salati u shpreh se të drejtat e klientes së tij ishin shkelur pasi djali i saj i madh është artist, kryetar bashkie, zyrtar i Partisë Socialiste. Sipas tij, Berisha ka kryer veprën penale të shpifjes. Fillimisht avokati argumentoi se kryeministri kishte deklaruar se për 10 vjet me radhë ajo e kishte kuruar të birin e saj nga skizofrenia, fakt që nuk ishte i vërtetë, ndërkohë që për nxjerrjen e saj jashtë me lecka, mbrojtësi ka pretenduar se ishte një shkelje e personalitetit të Ramës, i krijuar prej vitesh me punë të ndershme. Mbrojtësi, në fund të provave të tij, i kërkoi kolegjit të bashkuar heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë procesit gjyqësor. Ndërkohë, avokatja e Berishës argumentoi se pala paditëse nuk ishte mbështetur në prova dhe në ligj. Sipas saj, gjykata duhet të mos nisë proces penal. Sipas saj, mungon qëllimi për të përhapur thëniet në dëm të së akuzuarës. Në fund ajo shpjegoi se në fjalën e tij, kryeministri është shprehur: “Kam respekt për zonjën”. Procesi u shty për datën 4 maj në mënyrë të tillë që avokatja e Berishës të njihet me provat e palës paditëse.
Një seancë më parë, Aneta Rama, nëna e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, deklaroi se nuk do ta falë kurrë kryeministrin Sali Berisha për fyerjen publike që i ka bërë. Ajo ishte e pranishme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Lartë dhe i kërkoi kësaj gjykate të vazhdonte më tej shqyrtimin e padisë.
Deklarata
Në seancën e Kuvendit më 26 nëntor 2009, kryeministri Berisha është shprehur: “Ju zonja Rama keni kuruar birin tuaj për dhjetë vjet. Ai ju ka nxjerrë në mes të natës me rrobat e gjumit nga shtëpia”. “Këto shprehje janë të gënjeshtërta, të pavërteta, janë shpifje të bëra botërisht. Ndaj nuk ka vend për pajtim”, - tha avokati Salati. "I akuzuari prej meje, Sali Berisha, shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme, të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë, janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto “fakte” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit", - thuhet në padi.
Padia
Aneta Rama e paditi penalisht në dhjetor 2009 Berishën për shpifje publike, duke iu referuar deklaratës se ajo ka kuruar për dhjetë vjet rresht për skizofreni djalin e saj Edi Rama, vite më parë. Në padinë e depozituar Rama nuk qartëson se çfarë kërkon nga e gjitha kjo. Në rolin e paditëses, Aneta Rama thotë se deklaratat e Berishës janë të pavërteta dhe qëllimi i shprehjes së tyre është që të denigrohet figura e djalit të saj, aktualisht në krye të Partisë Socialiste dhe të Bashkisë së Tiranës.
Pjesë nga padia kundër Berishës: "I akuzuari prej meje, Sali Berisha, shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto ‘fakte’ janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit. Qëllimi kriminal i Sali Berishës shkon në drejtimin e paracaktuar nga mendësia e tij për të diskredituar publikisht jo vetëm kundërshtarin e tij politik, por edhe njerëzit e afërt të familjes. Për këto arsye, Sali Berisha duhet të gjykohet, sepse ka konsumuar ndaj meje veprën penale të shpifjes, të kryer botërisht, faqe deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mjeteve të informimit publik".
boc
Padia në dhjetor 2009
Ka qenë data 18 dhjetor 2009 kur Aneta Rama, me kopjet e gazetave të përditshme që përmbanin fjalimet e Sali Berishës, i është drejtuar kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçi, të padisë kryeministrin për fyerjet ndaj familjes së saj. “Në cilësinë e personit të dëmtuar nga vepra penale e kryer, me anën e kësaj kërkese për gjykim shpreh vullnetin tim për të gjykuar shtetasin Sali Ram Berisha, me detyrë kryeministër i Republikës së Shqipërisë, pasi botërisht ka konsumuar në dëmin tim veprën penale të shpifjes, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal”, - thuhej në fillim të kërkesë-padisë që do të përfaqësohet nga avokatët Arian Salati dhe Eno Bushi. Zonja Rama sqaron në kërkesë-padi se deklarata e Berishës se Edi Rama është kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë është një shpifje dhe trillim. Po kështu, nga kërkesë-padia zonja Aneta i quante shpifje dhe thënie të pavërteta deklaratat e Berishës, sikur djali i saj, Edi Rama, e ka dëbuar duke e nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. E ëma e kreut të PS-së tha se deklaratat e kryeministrit nga foltorja e Parlamentit kanë qëllim diskreditimin publikisht jo vetëm të kundërshtarit të tij politik, por edhe të njerëzve të afërt të familjes”.
13 Prill 2010