E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli lë të lirë agjentin e CIA-s

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Gjykata e Apelit ka liruar ditën e djeshme oficerin e ushtrisë amerikane Admir Horneart. Në vendim trupi gjykues, i përbërë nga tre anëtarë është shprehur se ndaj Hoorneart do të jepet masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila dha masën e sigurisë burg pa afat për analistin e inteligjencës në ushtrinë e SHBA-së. Në seancën e djeshme, organi i akuzës ka rikërkuar mbajtjen në burg të Hoorneart duke e cilësuar veprimin e tij si të qëllimshëm. Prokurori është shprehur se i pandehuri e ka kryer më shumë se një herë këtë veprim ndaj paraqet rrezikshmëri nëse ai lihet i lirë. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës ka rrëzuar plotësisht pretendimet e prokurorit, duke thënë se në këtë rast nuk ka ndonjë vepër penale dhe jo më të ketë rrezikshmëri nga ana e Hoorneart. E gjithë ngjarja ka qenë një ngatërresë për shkak të disa problemeve të të pandehurit, të cilat do të zgjidhen shumë shpejt. Avokati është shprehur në seancën e djeshme se klienti i tij nuk ka pasur asnjë dijeni për bllokimin e kartës së kreditit, të cilën ai e përdorte për çdo pagesë. Nga burime të tjera mësohet se deri para pak kohësh karta e tij e kreditit është përdorur edhe për prerje të biletave të udhëtimit. Gjithashtu, në fjalën e mbrojtjes avokati Agron Bajri i ka paraqitur gjykatës edhe aktpagesat e kryera në hotelet ku Hoorneart rezultonte debitor. Avokati ka kërkuar edhe paligjshmërinë e arrestimit të tij, pasi ai është arrestuar pa ekzistencën e një vepre penale. Nëse ai ishte debitor në hotelet ku kishte qëndruar, kjo nuk mund të cilësohet si vepër penale. Sipas avokatit, edhe administratorët e hoteleve nuk kanë bërë një kallëzim penal për mashtrim, por ata kanë lajmëruar policinë për incidentin dhe këta të fundit e kanë klasifikuar si vepër penale. Kjo mosmarrëveshje mes hoteleve dhe të pandehurit mund të zgjidhej në një gjyq civil dhe jo penal, ku për më tepër, debitori është i izoluar. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, trupi gjykues ka vendosur lirimin e Admir Hoorneart që tashmë do të hetohet në gjendje të lirë. Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dy herë në javë. Gjykata e Tiranës vetëm pak kohë më parë ka dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për Admir Hoorneart, duke marrë parasysh kërkesën e organit të akuzës për rrezikshmërinë e personit. Gjatë kësaj kohe Hoorneart ka qëndruar i izoluar në qelitë e burgut “Jordan Misja”. Ky mund të jetë një rast i rrallë për arrestimet nga ana e policisë shqiptare, pasi vetëm me anë të një kallëzimi ata kanë arrestuar një analist të inteligjencës së ushtrisë amerikane. Edhe nga administratat e hoteleve ku Hoorneart ka qenë i akomoduar bëjnë me dije se ai ishte një klient i rregullt dhe shkonte aty herë pas here. sjellja e tij ka qenë tepër normale dhe asnjëherë nuk ka paraqitur probleme.

Policia fshehu dokumentin e UNMIK-ut
Që në momentet e para policia shqiptare fshehu identitetin e të arrestuarit. Në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore nuk është deklaruar as pasaporta e tij dhe as ndonjë dokument tjetër identifikimi. Ndërkaq në Prokurorinë e Tiranës, në dosjen e Hoorneart ndodhet edhe pasaporta, por edhe një kartë identiteti që vërteton që ai është ushtarak dhe pjesë e forcave të UNMIK-ut. Kjo kartë identiteti nuk është përmendur në asnjë nga procesverbalet e mbajtura prej oficerit të policisë gjyqësore. Në procesverbalin mbi arrestimin në flagrancë është nënshkruar se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Admir Hoorneart, i biri i Ibrahimit dhe i Sabries, i vitlindjes 1975 lindur në Gjilan, Kosovë dhe me banim në Nju-Jork SHBA me arsim të lartë psikologji, i martuar dhe në gjendje gjyqësore i padënuar më parë. Por në asnjë vend nuk është shënuar profesioni i tij apo detyra aktuale që kishte. Për të shmangur këtë fakt policia nuk ka përmendur që i arrestuari kishte një dokument ku vërtetohej se ai ishte pjesë e forcave të UNMIK-ut. Kjo lë të dyshohet se, nëse policia e ka cilësuar vërtet si mashtrues, duhet të kishte bërë edhe verifikimin e dokumentacionit që të verifikonte dokumentet e sekuestruara. Pasi një dokument i tillë është i një rëndësie të veçantë dhe ndaj duhej të bëhej verifikimi nëse ishte i falsifikuar apo vërtet personi i arrestuar nuk ishte një njeri i thjeshtë ndaj dhe procedurat duhet të kryheshin në një drejtim tjetër.

Hetimet, letërporosi për verifikimin e llogarisë

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për Admir Hoorneart që në momentin e arrestimit. Organi i akuzës ka ngritur pretendimet se ai ka kryer vepër penale dhe ndaj po hetohet për mashtrim. Sipas Prokurorisë, Hoorneart e ka kryer me qëllim këtë procedurë për të shmangur të gjitha detyrimet. Nga burimet pranë organit të akuzës mësohet se do të niset një kërkesë për verifikim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar bllokimin e kartës së kreditit. Prokuroria dyshon se Hoorneart ka pasur dijeni për mosfunksionimin e kartës së tij. Por nga ana tjetër, Hoorneart nuk e ka pranuar një fakt të tillë. Ai gjithmonë ka deklaruar se karta e kreditit i është bllokuar, pasi ai ka mbërritur në Shqipëri. Nëse versioni i paraqitur prej tij është i vërtetë, atëherë nga ana e bankës do të pritet përgjigje se kush ka qenë personi që ka kryer bllokimin e parave. Dyshimet e para hidhen mbi ish-bashkëshorten e tij, pasi Hoorneart ishte në proces divorci me të. Në deklarimet paraprake Hoorneart nuk ka pranuar asnjëherë se e kishte bërë me qëllim këtë veprim, madje ai ka pohuar se ka lajmëruar edhe hotelet kur ka konstatuar se i ishte bllokuar karta e kreditit. Por organi i akuzës edhe këtë veprim e cilëson si të qëllimshëm duke nxjerrë si konkluzion që ky është vetëm një justifikim. Hoorneart u burgos që në momentin e arrestimit. Pasi policia “kopsiti” mirë dokumentet, ia kaloi Prokurorisë që të kryente hetimet dhe të kërkonte burgosjen e të arrestuarit. Argumentimet e Hoorneart si dhe gatishmëria për të shlyer gjithçka, nuk e tërhoqi Prokurorinë që të kërkonte izolimin e tij deri në përfundim të gjykimit. Organi i akuzës ka kërkuar “arrest me burg”, duke e sqaruar ngjarjen sikur të ishte planifikuar prej të arrestuarit. Prokurori Gjergji Tako, në kërkesën e tij ka pohuar se i pandehuri nuk ka paguar me qëllim përfitimi, por në asnjë moment kjo akuzë nuk është pranuar nga i pandehuri dhe avokati i tij duke kërkuar lirimin e tij.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›