E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjodha Berishën, për më shumë deputetë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Imazhi më pozitiv në fushatë do të ishte dalja bashkë si koalicion i djathtë

Presidenti i Aleancës Demokratike dhe zëvendëskryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, nëpërmjet një interviste ekskluzive për “Ballkan” ka shpjeguar arsyet se përse kryesia dhe asambleja e partisë së tij dhe vetë ai zgjodhën në momentin e fundit aleancën parazgjedhore me PD-në dhe kryeministrin Berisha. Ceka gjithashtu ka sqaruar për opinionin publik se nuk ka pasur asnjëherë mosmarrëveshje politike brenda partisë së vet dhe se debatet kanë qenë për shkak të negociatave që ai dhe eksponenti tjetër aleancist, Demeti, kanë zhvilluar, njëri me PD-në dhe tjetri me LSI-në. Sipas tij, sistemi i ri zgjedhor nuk i përjashton partitë e vogla, por nga ana tjetër, nuk u jep mundësi atyre që të garojnë me kandidatët e tyre në të gjithë vendin. Presidenti i Aleancës shpjegoi po ashtu se një zgjedhje e tillë për partitë e vogla vjen, pasi ato bëhen pjesë e koalicioneve të përbëra.
Si do të funksionojë koalicioni parazgjedhor i djathtë duke parë hyrjen përfundimtare edhe të PAD-së?
Mënyra është përcaktuar nga vetë kodi i ri zgjedhor, i cili parashikon të gjithë procedurën për atë që quhet koalicion i përbërë, që përkthehet ndryshe në atë që edhe është koalicion edhe secili është më vete. Pra nuk ka sigla apo simbole dyshe siç ishte në zgjedhjet e mëparshme, nuk ka kandidatë të përbashkët, por ka në fillim një shumë të përbashkët votash për koalicionin ku në fillim ndan pjesën e vet në raport me koalicionet e tjera në bazë të sistemit të numërimit të quajtur “Deont” që favorizon ato koalicione që marrin më shumë vota. Më pas numri i fituar i deputetëve ndahet brenda koalicionit në bazë të votave që ka marrë secila parti. Në këtë mënyrë përjashtohet çdo shkëmbim votash edhe veçanërisht ajo që quhej zona e lirë. Shpesh herë po përmendet në media se zona të lira, nuk ka asnjë kuptim dhe është krejtësisht e parealizueshme në këtë sistem.
Çfarë do të thotë vota pas presjeve që dalin nga koalicionet dhe në funksion të kujt do të jenë ato?
Kjo do të thotë që kur ndahen brenda koalicionit funksionon ashtu siç funksionon në këshillat komunalë dhe ato bashkiakë. Pra ka një bashkim të mbetjeve (votave) për partinë që është më lart, e para në këtë rast, që ka numër më të madh të votave. Ose mund të ndodhë dhe e kundërta, që ajo parti që është më poshtë mund të marrë mbetjet e votave të partisë së parë. Pra ka një lloj kalimi të votave nga një parti tek tjetra për të bërë rrumbullakosjen e vlerësimit për mandat deputeti. Kështu që, nëse brenda koalicionit favorizohet si partia e madhe, a ajo që vjen pas saj nuk mbetet jashtë.
A ka një renditje të partive pjesëmarrëse në koalicionin e djathtë, nga më i madhi tek më i vogli, dhe me ç bazë është bërë ajo?
Ka një renditje, por sipas alfabetit, në momentin e votimit ku do të kenë siglën e partisë përkatëse dhe emrin e saj, por jo listat e kandidatëve. Lista e kandidatëve janë çështje vetëm e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Keni deklaruar se PAD-ja pretendon të nxjerrë 7 deputetë në Kuvendin e ardhshëm, sa e realizueshme është kjo?
Kjo është në pragramin e Aleancës, duke qenë një parti parlamentare prej shumë kohësh, por ky sistem në qoftë se ne mbledhim ato vota që kemi pasur në zgjedhjet vendore të 2007-ës na jep shansin të marrim të paktën gjashtë deputetë. Për ta arritur këtë duhet që të gjithë këshilltarët tanë që kemi nëpër komuna apo bashki, të sjellin në zgjedhje të njëjtin numër votash që kanë mbledhur për Partinë Aleanca Demokratike, qofshin këto vota proporcionali apo mazhoritari. Atëherë ne mund të arrijmë të marrim këtë numër deputetësh.
Në fushatë do të dilni bashkë, të gjithë liderët e partive të koalicionit apo secili më vete?
Kjo do të varet nga partia kryesore e koalicionit. Si do ta paraqesë imazhin. Pra do të paraqitet si një forcë e bashkuar që presupozon vazhdimësinë e qeverisjes së sotme, një qeveri që duhet ta pranojmë që ka qenë e ekuilibruar e kontrolluar nga brenda mazhorancës, pra nuk ka pasur numrin absolut, por që nuk e ka penguar atë në realizimin e qeverisjes. Ndoshta ky do të ishte imazhi më pozitiv. Kurse aspekti tjetër është ajo që po bën pak a shumë sot PS-ja, që del me një lider me një program me një staf dhe synon të marrë shumicën e deputetëve vetë partia, duke eliminuar mundësinë e bashkëpunimit me një koalicion paszgjedhor.
A i keni zgjidhur mosmarrëveshjet brenda aleancistëve, për sa i përket pozicionimit në koalicion, sidomos me zotin Demeti?
Nuk ka pasur asnjë divergjencë dhe ky është një keqkuptim. Kemi thënë që janë bërë dy negociata: një nga Demeti me LSI-në dhe një unë me PD-në. Por kjo nuk do të thotë që kemi pasur pikëpamje të ndryshme dhe më pas vendimin përfundimtar e mori Asambleja e 28 shkurtit, e cila në bazë të vlerësimit që paraqiti vetë zoti Demeti dhe nga pikëpamja sasiore, preferoi në unanimitet pa asnjë votë kundër aleancën dhe koalicionin me PD-në.
Ju është kërkuar listë paraprake deputetësh nga partia më e madhe PD-ja dhe në sa zona do të kandidoni ju si PAD?
Kjo nuk është fare çështje që i takon aleatit tonë, në këtë rast PD-së. Është një çështje e brendshme e Aleancës Demokratike dhe për hartimin e kësaj liste u dha orientimi nga Asambleja e PAD-së që të bëhet krejtësisht nga anëtarët, që kandidatët të jenë anëtarë me përvojë dhe me kontribut në PAD, që të synohet maksimumi i votave për partinë, por edhe për njerëz që janë bërë publikë nga Aleanca. Por vendimin përfundimtar do ta marrë kryesia dhe presidenti i saj. Ndërsa për vetë sistemin zgjedhor kompetencat për listën përfundimtare i janë dhënë Presidentit të PAD-së.
Do të jeni të pranishëm me kandidatë në të gjithë vendin?
Jemi të detyruar të jemi të pranishëm me të paktën gjysmën e kandidatëve. Nëse janë 140 kandidatë, ne të jemi me 70 kandidatë që do t i paraqesim në KQZ. Natyrisht që do të paraqesim më shumë sesa kemi mundësitë, por siç thashë, gjithmonë shanset do të jenë të një numri të kufizuar. Kjo nuk është vetëm për partinë tonë, është për çdo parti, pra nëse përpara ishin 100 kandidatë dhe kishin shpresë, sot në garim do të jetë një numër i kufizuar. Pra janë vetëm krerët e listave që kanë shanset më të mëdha, kurse numrat që vijnë prapa janë në inferioritet. Sa më larg të jesh nga njëshi aq më pak shanse ke për t u zgjedhur deputet.

Ka një bashkim të votave të mbetura për partinë që ka numër më të madh të votave. Ose dhe e kundërta që ajo parti që është më poshtë mund të marrë mbetjet e votave të partisë së parë. Pra ka një lloj kalimi të votave nga një parti tek tjetra për të bërë rrumbullakosjen e vlerësimit për mandat deputeti.

Intervistoi: Plarent Shehu
Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›