E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli liron Rukon, "trafikantin" e dy të miturve

 

TIRANE - Gjykata e Apelit hodhi poshtë dje dënimin e dhënë në mungesë për Sokol Rukon, i akuzuar për trafik fëmijësh. Ai u shpall i pafajshëm në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Sokol Ruko, i akuzuar për veprën penale të "trafikimit së të miturve me qëllim lypjen", është liruar nga akuza. Në seancën e djeshme gjyqësore është pushuar dënimi me 11 vjet heqje lirie dhënë ndaj tij në mungesë nga Gjykata për Krimet e Rënda më 21 maj të këtij viti. Dosja hetimore në ngarkim të Rukos u dërgua për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda në fillim të muajit tetor të vitit 2007. Sipas prokurorisë, Sokol Ruko, nga tetori i vitit 2002 deri në maj të vitit 2003 ka trafikuar në Itali dhe më pas i ka nxjerrë për të lypur dy vëllezërit me iniciale B.M., dhe G.M., nga rrethi i Fierit. Në kërkesën për gjykim të paraqitur para gjykatës thuhej se Ruko i kishte marrë dy fëmijët me pëlqimin e babait të tyre, duke i premtuar ndarjen e fitimeve. Pasi kanë mbërritur në shtetin fqinj në mënyrë klandestine dy të miturit kanë lypur për rreth 7 muaj dhe paratë e siguruara ia kanë dhënë Rukos. Pas kësaj periudhe ai është larguar nga Italia duke mos u dhënë asgjë dy të miturve, të cilët edhe e denoncuan më pas.                                                                                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›