Drogë nga Lazarati mes bananesh
GJIROKASTER / PIRO NASE
Një furgon me arka bananesh është përdorur për të transportuar drogë në drejtim të Greqisë. Policia e Gjirokastrës ka qenë zbuluesja e sasisë prej 296 kilogramë, e cila dyshohet se ishte siguruar në Lazarat. Drejtuesi i mjetit, 40-vjeçari Petrit Telharaj nga Tirana, është arrestuar në vend me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Aksioni për kapjen e sasisë së lëndës narkotike u zhvillua në një gjatësi kohore 24-orëshe, që nga mbrëmja e së hënës deri të martën në darkë. Operacioni i koduar me emrin "Fillimi", drejtohej nga kreu i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni. Sapo është marrë informacioni u urdhërua ngritja e postblloqeve në pikat kyçe të segmentit Gjirokastër-Tepelenë-Përmet. Sipas burimeve policore, ka qenë ora 22:00 e së martës kur në postbllokun e ngritur në urën e Dragotit, në kufirin administrativ mes Tepelenës dhe Përmetit, është dukur një furgon tip "Mercedes Benz" me targa të Tiranës 5937 B. Pas sinjalit për të ndaluar, policia i ka kërkuar drejtuesit të automjetit të deklaronte sasinë e mallit të ngarkuar. Telharaj ka deklaruar se furgoni ka qenë i mbushur me 20 arka banane, të cilat sipas tij po i transportonte në dyqanet e Këlcyrës dhe Përmetit me kërkesë të tregtarëve. Pasi i është kërkuar të zbriste për të ushtruar kontroll policia në brendësi të automjetit, Telharaj ka vijuar duke u justifikuar se nuk janë gjë tjetër veçse arka me banane. Tre policë kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm të mjetit furgon transportues për gati 15 minuta deri sa zbuluan 8 çanta të mëdha udhëtari. Brenda tyre u gjetën pakot e mbështjella me plastmas, të cilat rezultuan me kanabis sativa. Gjatë deklarimeve fillestare të tij, Telharaj ka pohuar se nuk kishte dijeni për sasinë e ndodhur në furgonin që drejtohej nga ai. Por, nga burime të brendshme të hetimit mësohet se tiranasi kishte dy ditë që kishte mbërritur në Gjirokastër, pas një qëndrimi 1-ditor në Sarandë ku ishte ngarkuar me banane. Në Gjirokastër ai është ngarkuar me mallin narkotik, ku do të tentonte më pas ta transportonte në drejtim të Greqisë nëpërmjet pikës kufitare të Tri Urave në Përmet, apo ta përcillte te persona të tjerë. Sasia narkotike dyshohet të jetë siguruar në Lazarat.
Policia: Aksionet për drogën e pazbuluar
Zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, ka deklaruar se sasitë narkotike të cilat nuk mundën të lokalizoheshin nga policia në zona të ndryshme të qarkut gjatë muajve të verës, do të zbulohen përmes këtyre operacioneve, të cilat kanë për qëllim zbulimin e transportit të tyre në destinacione të ndryshme. Ndërkohë organi i akuzës po punon për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë trafik.