Ina Rama kërkon kohë, edhe tre muaj hetime për “Durrës-Kukës”
TIRANE - Kryeprokurorja Ina Rama firmosi zgjatjen e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës edhe me tre muaj të tjerë. Afatet hetimore për këtë dosje përfunduan më 1 tetor për shkak të vonesave që shkaktoi ekspertiza e kontabilitetit, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme që po heton çështjen, kërkon edhe tre muaj kohë për t'i dhënë fund procedimit penal. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme sipas të cilave, mësohet se pas përfundimit të afatit të hetimeve, Kryeprokurorja Ina Rama ka ndërhyrë për të zgjidhur situatën duke firmosur vendimin për shtyrjen e kohës së ligjshme të hetimeve edhe me tre muaj të tjerë. Prokuroria shqiptare hapi hetimet për abuzimet e dyshuara dhe dëmin e shkaktuar shtetit gjatë procedurave për tenderimin dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, në fillim të vitit 2007. Që prej asaj kohe, dosja u hetua në Prokurorinë e Tiranës, e cila pasi konstatoi nevojën për të hetuar ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha, ia kaloi dosjen Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit i kërkoi Parlamentit heqjen e imunitetit për Bashën, aktualisht Ministër i Jashtëm dhe pa mbrojtje imunitare si deputet kundrejt hetimeve që Prokuroria po zhvillon për dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria e Tiranës kishte zbardhur tërësisht procedurat e ndjekura nga Ministria e Transporteve në tenderimin dhe nisjen e punimeve për rrugën Durrës-Kukës, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ngarkoi dy ekspertë për të kryer llogaritjen e vlerës reale të investimit. Për shkak të afatit të hetimeve që ishte drejt fundit, Prokuroria e Përgjithshme u kërkoi ekspertëve kontabël që raportin e tyre ta paraqisnin në organin e akuzës në fund të muajit gusht 2008. Ky afat mbërriti dhe ekspertët ende nuk kishin hartuar raportin. Ata madje kërkuan shtyrjen e afatit deri më 15 shtator por sërish në këtë datë, ata kërkuan kohë shtesë. Përfundimisht në ditët e para të muajit tetor 2008 ekspertët kontabël të thirrur nga Prokuroria e Përgjithshme për hartimin e raportit të shpenzimeve të rrugës Durrës-Kukës, kanë arritur në përfundimin se vlera totale e këtij projekti është 1 miliard e 23 milionë euro. Dy ekspertët kontabël Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana hartuan një raport kontabël të cilin e dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit është duke hetuar për abuzime të mundshme në ndërtimin e autostradës si dhe për mundësinë që me këtë vepër t'i jetë shkaktuar shtetit dëm ekonomik. Gjatë hetimeve për këtë dosje, Prokuroria mori të pandehur ish-drejtorin e sektorit Juridik në Ministrinë e Transporteve Andi Toma, ish-drejtoreshën e Rrugëve Lejla Saraçi si dhe ish/zv-ministrin e Transporteve Armand Teliti. Në dosjen e rrugës Durrës-Kukës po hetohet edhe ministri Lulzim Basha, i cili është thirrur dy herë në Prokurori. tr.soc