E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia qëllon makinën me shqiptarë, 1 vdes

 

GREQI - Policia greke hap zjarr mbi një makinë në të cilën pohohet se udhëtonin 3 shtetas shqiptarë, duke lënë të vdekur njërin prej tyre. Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin nacional që lidh qytetin e Volosit me Athinën në Greqi. Sipas Ministrisë së Brendshme të Greqisë, rreth orës 20:30 me orën tonë, një makinë policie i kërkoi të ndalonte makinës "Wolksvagen", ku sipas saj ndodheshin 3 shqiptarë. Ata kundërshtuan urdhrin e policisë greke, duke tentuar të largoheshin. Autoritetet greke pohuan se nga makina u qëllua me një armë, e dyshuar si pushkë, duke bërë që dhe policia greke të hapë zjarr ndaj mjetit. Për pasojë, plumbat kanë zënë një 33-vjeçar, emri i të cilit nuk u bë i ditur, duke e lënë të vdekur atë. Ndërsa dy personat e tjerë e braktisën mjetin dhe mundën të largoheshin në drejtim të paditur. Nga kontrolli i makinës u gjetën rreth 26 kg lëndë narkotike marihuanë. Për ngjarjen kanë nisur hetimet, për të zbardhur të gjitha rrethanat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›