E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, bankat qendrore ulin përqindjen e interesit

 

Kriza financiare ndërkombëtare i ka detyruar bankat evropiane dhe ato amerikane, që të ulin përqindjen e interesit, si një zgjidhje kjo për të frenuar krizën financiare. Konkretisht me nismën e Bankës Federale Amerikane, ban-kat qendrore në shtatë vende, përfshi edhe Bankën Qendrore Evropiane, ulën normën e interesit me 0.5 për qind në mënyrë të koordinuar. Me këtë lëvizje norma e interesit të rezervës federale në Amerikë zbret nga 2% në 1.5%, ndërsa BQE nga 4.25% në 3.75 %. Sipas mediave të huaja njëkohësisht normat janë reduktuar edhe nga Banka e Anglisë, Kanadasë, Kinës, Suedisë dhe Zvicrës. Zyrtarët e lartë shpresojnë se ky hap do të ndihmojë për të bindur bankat, që të fillojnë të japin hua dhe të lehtësojë krizën e kreditit, që ka kërcënuar të çojë pranë dështimit shumë biznese.
Vlera e aksioneve në bursat e gjithë botës ka rënë në mënyrë drastike para njoftimit. Pasi u bë e ditur ulja e interesit, vlera e aksioneve evropiane filloi të ngrihej disi. Ndërkohë, parashikimet janë që kur të hapet bursa amerikane, vlera e aksioneve të jetë më e lartë.
Planet e shpëtimit
Përballë një situate të vështirë financiare ministrat evropianë të Financave ranë dakord për një garanci minimale për depozitat bankare me vlerë 50 mijë euro. Megjithatë, disa vende kanë thënë se do ta dyfishojnë këtë shumë. Ditët e fundit Irlanda, Gjermania, Austria dhe Danimarka kanë ofruar mbrojtje të pakufizuar. Sipas mediave të huaja, tregjet e mëdha financiare në Azi kanë regjistruar rënie të ndjeshme për të dytën ditën radhazi. Në Tokio indeksi Nikei ra 4.5 për qind në mesditë, kurse indeksi Hang Seng në Hong Kong ra 5 për qind në orët e para të bursës. Vlerat e aksioneve ranë ndjeshëm në Australi dhe humbje, por më të pakta, u regjistruan edhe në Korenë e Jugut.
Nafta
Sipas mediave të huaja çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm. Çmimi i naftës ra dje në 87 dollarë e 44 cent për fuçi. Çmimet e naftës arritën çmimin rekord prej 147 dollarësh për fuçi në korrik. Kohët e fundit çmimet janë ulur, për shkak të rënies ekonomike, e cila nga analistët shihet si një faktor që çon në uljen e kërkesave për energji. Por edhe pse çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm në tregun vendas kjo rënie nuk është reflektuar shumë. Sipas tregtarëve të karburanteve dy janë faktorët kryesorë që ndikojnë në ndryshimin e çmimit. I pari ka të bëjë me tregjet ndërkombëtare, ndërsa i dyti më nivelin e taksave. Por të dhënat kanë tregtuar se sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pëson rritje, ky ndryshim çmimi reflektohet menjëherë në tregun vendas, por e kundërta ndodh kur çmimi i arit të zi ulet. Në këtë rast, tregtarët hezitojnë të ulin çmimin e karburanteve në tregun vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›