Ngatërrohet drafti, KLD debat kot
Fatos Mahmutaj
Ngatërrohen projektligjet e Gjykatës Administrative, si pasojë dështon mbledhja e KLD-së, pas dy orësh diskutime. Ngatërresa që u ka kushtuar dy orë e gjysmë debate ka ardhur ndoshta nga gabime teknike dhe është zbuluar, pasi anëtarët e KLD-së kishin dhënë mjaft mendime kritike për draftin, që qeveria kishte dërguar në kuvend. Në një moment kur po diskutohej teknikisht vendi i njërit prej neneve, njëri prej anëtarëve të KLD-së përfshihet në debat me ekspertët që ishin thirrur në Këshill për të mbrojtur draftin. Aty ka dalë që palët kishin debatuar për dy orë e gjysmë për dy drafte që përmbajnë ndryshime të rëndësishme nga njëri-tjetri. Pas kësaj është vendosur që mbledhja e radhës e Këshillit të zhvillohet në datat 23 dhe 24 tetor, ku pjesë e rendit të ditës do të jetë edhe diskutimi i draftit për Gjykatën Administrative. Burime nga mbledhja e KLD-së pohojnë se mbrojtësit e draftit ishin ekspertët juristë që kanë punuar me të, ndërsa vetë ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, nuk mori pjesë për shkak të një problemi familjar.
Mbledhja
Institucioni i KLD-së, u kishte kërkuar anëtarëve të saj mendimin për njohjen me këtë draft, ditën e hënë më datë 29 shtator, kur të gjithëve u ishte shpërndarë nga një kopje e projektligjit. Ndërkohë, qeveria në mbledhjen e datës një tetor, ditë e mërkurë kishte miratuar një draft të ndryshëm, i cili për më tepër përmban 46 nene, nga 41 që kishte ai që u ishte shpërndarë anëtarëve të KLD-së. Pas kësaj ekspertët e ngarkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe anëtarët e KLD-së kanë verifikuar dokumentet që kishin përpara dhe ka rezultuar se gjithë debati kishte qenë i kotë. Ende nuk dihet se cili mund të ketë qenë shkaku i ngatërresës, por është fakt se kjo është arsyeja që bëri të dështonte mbledhja e KLD-së pasi disa prej anëtarëve kishin përgatitur edhe mendime me shkrim për të, ndërsa ishte caktuar që mendimi i KLD-së të përmblidhej në një raport dhe pasi të nënshkruhej nga të gjithë t'i dërgohej komisionit të Ligjeve në kuvend. I analizuar nen për nen dy draftet kanë ndryshime rrënjësore mes njëri-tjetrit si në formë dhe përmbajtje.
Projektligjet
Drafti që qeveria ka paraqitur në Kuvend duket që është më i plotë. Përveç pesë neneve më tepër ai përmban edhe mjaft shtesa të tjera në nene të ndryshme, të cilat sqarojnë mjaft pasaktësi që vërehen në draftin që kishin studiuar anëtarët e Këshillit. Tashmë pritet që deri më datë 23 tetor anëtarët e KLD-së të studiojnë draftin që Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend dhe pastaj të paraqesin mendimin në mënyrë kolegjiale për të. Drafti i qeverisë në nenin 1 të tij përmban dy pika, në njërën nga të cilat specifikohet se dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikime e Kodit të Procedurës Civile me përjashtimin e rasteve dhe për aq sa ky ligj parashikon ndryshe. Ndryshime thelbësore paraqet edhe neni tre. Në draftin e qeverisë përkufizimet e fjalëve specifike përfshijnë shpjegime më të hollësishme dhe më të plota, ndërsa në projektligjin që kanë studiuar anëtarët e KLD-së këto terma paraqiten me shkurtime. Po kështu edhe nenet 4, 5 dhe 6 përmbajnë ndryshime të theksuara mes njëri-tjetrit në të dy draftet. Kjo është edhe pjesa më e rëndësishme e ligjit dhe njëkohësisht më e kontestuara nga anëtarët e Këshillit.