E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli liron avokatin e "Plazhi i Gjeneralit"

 

TIRANE - Gjykata e Apelit rrëzoi dje masën e sigurisë "arrest shtëpie" për avokatin Gjergji Hysi, i cili është marrë i pandehur në dosjen e Prokurorisë për tjetërsimin e pronësisë së 48 hektarëve tokë në zonën e "Plazhit të Gjeneralit". Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Dytë është firmosur nga trupi gjykues në Apel pas ankimit të paraqitur aty nga avokati, i cili ishte kundër masës "arrest shtëpie" vendosur dy javë më parë nga Gjykata e Tiranës. Sipas prokurorisë, avokati civil Gjergji Hysi akuzohet se ka kryer veprën penale "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh me pasoja të rënda" në bashkëpunim me persona të tjerë, në procedurat e ndjekura për 48 hektarë tokë pronësia e të cilës u tjetërsua me dokumente false. Sipas Prokurorisë, avokati në fjalë ka paraqitur pranë Agjencisë së Pronave një prokurë që dyshohet se është false në emër të familjes Shijaku, të cilës i takonte kthim prone në zonën e Malit të Robit në Kavajë. Prokura e paraqitur nga avokati Hysi sikur ai të ishte përfaqësues i familjes Shijaku rezultoi e falsifikuar, ndërsa është konsideruar si pikënisja e gjithë procedurës abuzive me anë të së cilës u tentua që 48 hektarë plazh t'i kaloheshin pronarëve fantazmë, që nuk kishin asnjë të drejtë për kthim prone. Çështja u bë objekt i hetimeve të Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka ngritur akuza për shtatë persona mes të cilëve edhe ish-kreu i Agjencisë Kombëtare të ë Pronave Tunxh Vatnikaj. Tri ditë më parë ai është thirrur në prokurori ku i është njoftuar akuza "shpërdorim detyre në bashkëpunim". Sipas organit të akuzës mësohet se Vatnikaj ka firmosur vendimin për kthimin e pronës, 48 hektarë tokë në "Plazhin e Gjeneralit", Komuna Synej, Kavajë, duke u bazuar mbi një dosje tërësisht të falsifikuar në dokumentet kryesore të saj. Prokuroria gjykon se vendimi për kthimin e pronës ka qenë abuziv dhe për këtë shkak ka vendosur nën akuzë edhe dy ish-punonjës të Agjencisë së Pronave që kaluan procedurën e kthimit të pronës si dhe zyrtarë të Hipotekës së Tiranës dhe Kavajës, që tentuan të regjistronin plazhin në emër të pronarëve fantazmë mbi bazën e dokumenteve false. Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë më 4 mars 2009 masat e sigurisë për të pandehurit e tjerë të dosjes së "Plazhit të Gjeneralit" shumica e të cilëve ndodhen në "arrest shtëpie".                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›