Bashkim Driza arratiset para ekstradimit nga Uruguai
Etleva Delia
Në një kohë kur Ministria e Drejtësisë në Tiranë dhe autoritetet më të larta të Uruguait kishin ngritur një komision për hartimin e një marrëveshje për ekstradimin e Bashkim Drizës, gjithçka ka mbetur në vend pas lajmit të ardhur nga toka amerikano-latine për zhdukjen e ish-bosit të fondacionit piramidal "Populli". Oficerët e policisë uruguaiane, të cilët ishin të ngarkuar me detyrë për ruajtjen e banesës ku ish-bosi i "Populli"-t qëndronte me arrest shtëpie, kanë lajmëruar se ai nuk është gjetur në shtëpi gjatë kontrollit të ushtruar aty. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, rezulton që Bashkim Driza është arratisur nga vendi i qëndrimit në Montevideo të Uruguait dhe ende nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Lajmi për arratisjen e Drizës, i cili ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 16 vjet burg, vjen në momentin kur ishte përgatitur pothuajse gjithçka për ekstradimin e tij. Edhe pse mes Shqipërisë dhe Uruguait nuk ekzistonte një marrëveshje ekstradimi, Ministria e Drejtësisë në bazë të Konventës Ndërkombëtare, kishte rënë dakord me Ministrinë e Jashtme të Uruguait, që të ndiqnin të drejtën e reciprocitetit, të këmbimit të personave të kërkuar. Por kjo "ujdi" tashmë duket se është e panevojshme, pasi sipas policisë së Uruguait Driza mund të ketë kaluar kufijtë e shtetit, në drejtim ose të Brazilit, ose të Kilit.
VEPRIMTARIA E DRIZES
Deri tetë vite më parë, informacionet e policisë shqiptare për Bashkim Drizën, tregonin se ai fshihej në Gjermani, ose në Greqi. Për këtë shkak, zyra e Interpol-Tiranës, kishte kryer verifikime thuajse në të gjithë vendet e Evropës, me qëllim për arrestimin e të kërkuarit. Sipas policisë, 51-vjeçari Driza duhet të ketë mbërritur në shtetet e Amerikës Latine, përpara vitit 2003, një vit pas dhënies së vendimit të gjykatës ndaj tij, kur kuptoi se nuk kishte mundësi shpëtimi nga drejtësia. Ai është regjistruar në vendin latin e madje ka mundur të fitojë edhe shtetësinë aty, duke u bërë qytetar i Montevideos. Në kryeqytetin uruguaian, sipas burimeve të policisë, ai rezultonte të ishte rezident, ndërsa gjatë kësaj kohe, ai ka lëvizur në mënyrë të vazhdueshme në kryeqytetin e Kilit, Santiago, në Republikën Dominikane, në kryeqytetin e saj Santo-Domingo. Policia konfirmoi se deri para se të arrestohej Bashkim Driza ka udhëtuar shpesh në vendet e tjera të Amerikës Latine, si në Brazil, Argjentinë, apo në Paraguai.
ARRESTIMI
Gjatë gjithë udhëtimeve të tij të herëpashershme në vendet e Amerikës Latine, Driza ishte mbajtur nën vëzhgim nga Interpoli uruguaian. Këta të fundit, sipas burimeve të policisë, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme të tyre, kontrollonin lëvizjet e Drizës, pasi ai ndodhej në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.
Interpoli: S`jemi njoftuar për arratisjen
Edhe pse në media gjatë gjithë ditës së djeshme u përhap lajmi për arratisjen e Bashkim Drizës, nga banesa ku qëndronte me arrest shtëpie në Uruguai, Interpol-Tirana nuk ishte njoftuar zyrtarisht për arratisjen e tij. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme të Policisë bënë të ditur se zyra e Interpolit është njoftuar vetëm nga Ministria e Drejtësisë, por jo nga homologët në Uruguai.
Piramida
Bashkim Driza, në vitet 1995-1997 ka qenë presidenti i firmës piramidale "Populli", që njihet si një ndër kompanitë mashtruese më të mëdha në vendin tonë. Ai është arrestuar në Uruguai më 21 shtator të vitit 2008. Fondacioni "Populli", i themeluar në vitin 1995 me një vendim gjykate, kishte për kryetar të saj, Drizën, myzeqarin që në atë kohë ishte 38 vjeç, i cili deri dy ditë më parë pas 12 vite të bujës financiare, ishte në arrest shtëpie ne Uruguai.
Arrestimi
Bashkim Driza është arrestuar në Uruguai më 21 shtator 2008, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim. 51-vjeçari u arrestua pas kërkesës së Interpol Tiranës. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, për të është mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon-Kili, Interpol Montevideon-Uruguai dhe Interpol Santo Domingon-Republika Dominikane, pasi Driza njihej nga ana e tyre për shkak se ishte i pajisur me pasaporta.