Izet Shehu propozon takim me “Tirkani”-n
Publicisti, poeti dhe shkrimtari nga Lushnja, Izet Shehu, propozon kohët e fundit për publikun dashamirës të librit vëllimin e tij më të ri me tregime “Tirkani”. Izeti vazhdon të ruajë stilin e tij, të butë, të ngrohtë, vital e në çast po aq shpërthyes, instinktiv dhe të natyrshëm. Tregimet e tij janë panorama dhe galeri të gjera ngjarjesh dhe personazhesh. Kush e njeh Izetin, e di mirë se shkrimtari esencën e të gjitha krijimeve të tij e merr nga historitë e vërteta, faktet e dëgjuara apo edhe nga një ndodhi aty-këtu rastësore, e cila u shpëton njerëzve të thjeshtë por jo syrit të mprehtë vëzhgues dhe analitik të sprovuar të këtij autori. Ja si do të shprehej për një roman të po këtij shkrimtari, studiuesi Sadik Bejko: “Në një rrëfim bisedor, apo i shkruar qoftë ky, merr shumë rëndësi toni që i përcjell ngjarjet dhe gjendjet. Përmes ngjyrave të këtij toni vjen e regjistruar dhe e gjallë e gjithë ajo tërësi bote gjer dhe hollësitë e saj, pra, gjithë sa përmban lënda që kumtohet. Regjistrat e këtij toni, ngjyrimet e tij, janë disi fluturuese dhe të pakapshme, pasi, në rend të parë, ne ia vëmë veshin asaj që po rrëfehet. Si qenie logjike mund të jemi ose jo të një mendjeje me atë që na kumtohet, me atë që po flet, por, në të dy rastet, pa kuptuar, ndërhyn e na merr me vete, na ndjell e na lë shtang toni, i cili i jep rrëfimit një përmasë tjetër. Njoftimet mbi ngjarjet janë të përfshira në avujt, në ngjyrat, në pozicionimin e zërit të rrëfyesit. Ftohtësia apo vlaga e tonit janë jo vetëm sfondi, thellësia, por edhe shpejtësia a përkulshmëria e ujërave për nga rrëshqet, shtrihet a degëzohet rrëfimi. Njoftimet e këtij toni (disa njoftime ekstra) mund të na nguliten po aq sa edhe kumtet e drejtpërdrejta të rrëfimit që në vijim vizaton tipat, karakteret, ngjarjet. Këto mund të kapen më me lehtësi, mund dhe të analizohen prej logjikës sonë. Toni prapë mbetet aty, është brenda ngjarjeve, është edhe përsipër tyre”.
26 Shkurt 2009