Pranga të kërkuarit për vrasje
DURRES - Pas gati pesë muajve arrati, policia e Durrësit ka prangosur një tjetër të implikuar në vrasjen e shtetasit Sajmir Balla. I arrestuari quhet Alfred Hoxha. Ai është i fundit që përfundon në duart e drejtësisë për këtë çështje. 18-vjeçari ishte shpallur në kërkim, por falë njohjes së terrenit në Shkozet kishte arritur disa herë t'i shpëtonte policisë së Durrësit, derisa u prangos mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë, Hoxha është një ndër autoret e vrasjes së shtetasit Sajmir Balla, ngjarje kjo e ndodhur më 14 nëntor të vitit të kaluar, në vendin e quajtur "dyqani i luleve". Ai ishte shpallur në kërkim, me akuzat e "vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve". Për të njëjtat akuza po përballen me togat e zeza të Gjykatës së Durrësit edhe dy të arrestuarit e tjerë, Elis Tefa dhe Orges Dervishi. o.u