Dinamo i jep leksion Vllaznisë
Shkëlqim Muça duket se e njeh më mirë Vllazninë sesa Agim Canaj ish-ekipin e tij, Dinamon. Por, gjithsesi, Sebino Plaku është lojtari perfekt “anti-Vllazni”.
Sulmuesi i Dinamos, me golin e tij nga pika e bardhë në minutën e 88-të, i dha fitoren 0-1 bluve në takimin e fundit për kampionat të luajtur në Shkodër kundër Vllaznisë (java 17, 26.12.2008), duke i prishur edhe festën “kampioneve të dimrit”, pikërisht në tempullin mitik të futbollit shqiptar “Loro Boriçi”.
Është sërish ish-sulmuesi i Hamkamit (Norvegji), që, me golin e tij të minutës së 69-të, i dhuroi fitoren 1-2 dinamovitëve kundër një Vllaznie që luajti për gati 30 minuta me dhjetë lojtarë (kartoni i kuq i Suad Licit) në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Dinamo, me fitoren në transfertë me Vllazninë, hodhi një hap të madh për të qenë ajo për herë të 31-të në gjysmëfinale, pavarësisht se do të luhen edhe 90 minuta të tjera kundër shkodranëve, më 11 mars në kryeqytet.
“E filluam keq ndeshjen të paktën në 20 minutat e para. Duhet ta kishim mbyllur kualifikimin qysh në ndeshjen e parë, pasi patëm një rast të pastër për të shënuar edhe golin e tretë. Mbetja e Vllaznisë me dhjetë lojtarë na e lehtësoi punën”, - tha pas ndeshjes trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili regjistroi fitoren e tretë nën drejtimin e bluve midis kampionatit e kupës.
“Kupa ka specifikën e vet, por objektivi ynë është të fitojmë çdo ndeshje të radhës, pasi Vllaznia e Tirana janë përpara nesh. Na duhet vazhdimësi dhe jo 2-3 ndeshje të mira. Duhet të paraqesim një ekip kompakt”, - shtoi trajneri që ka fituar 3 tituj kampionë me Tiranën, skuadër edhe me të cilën si lojtar ka fituar disa tituj kampion.
Vllaznia e nisi takimin me një gol shumë të shpejtë. Ganezi Xhejms Boadu ndërmori një aksion në thellësi të mbrojtjes dinamovite, kalibroi një pas të artë për Vioresin Sinanin dhe golashënuesi më i mirë sezonal i Vllaznisë (9 gola) realizoi pas vetëm 100 sekondash lojë, duke sjellë entuziazëm në stadium.
Disa minuta më pas, ishte sërish mesfushori sulmues Boadu që goditi me një roveshatë mjeshtërore shtyllën e Dinamos, duke dhuruar emocione në “Loro Boriçi”.
Teksa si trajneri Agim Canaj i Vllaznisë ashtu dhe tekniku Shkëlqim Muça i Tiranës kishin shënuar në bllokun e tyre udhëzimet e reja për lojtarët në dhomat zhveshjes, në fundin e pjesës së parë, “djaloshi i artë” i Dinamos, Fatjon Sefa, shpiku me kokë golin e barazimit për blutë në minutën e 45’+1, duke i çuar shifrat e pjesës së parë në 1-1.
Fraksioni i dytë ishte i ekuilibruar, por me një epërsi e me një presion të madh nga ana e Dinamos. Në minutën e 57-të, veterani shkodran Suad Lici frenoi në mënyrë të parregullt Sefen e Dinamos, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari.
Në minutën e 69-të ndodhi edhe ajo që nuk pritej kurrsesi nga stafi drejtues i Vllaznisë – presidenti Fushaj kishte vendosur 10 mijë euro për kualifikimn – kur Sebino Plaku realizioi edhe golin e fitores për Dinamon për të çuar në delir në tribunën “VIP” presidentin e bluve Besnik Sulaj dhe grupin e madh të tij shoqërues.
Sa për statistikë, në dy përballjet e Vllaznisë me Dinamon në gjysmëfinalet e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia fitoi 4-0 në Shkodër dhe 3-0 në Shijak.
KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKFINALET
GRUPI A
Vllaznia-Dinamo 1-2
Shënues: Sinani 2’/ Sefa 45’+1, Plaku 69’
Karton i kuq: Lici 57’(V)
Shkumbini-Besa 1-1
Shënues: Mustafaj 68’/ Haliti 85’
Kartonë të kuq: Nora 90’(Sh), Dervishi 90’ (Sh)
GRUPI B
Flamurtari-Partizani 1-0
Shënues: Shehaj 40’(p)
Karton i kuq: Tafaj 40’ (P)
Tirana-Elbasani 0-0
* Takimet e kthimit luhen më 11 mars 2009
26 Shkurt 2009