"Monstra" pranon përdhunimin
PESHKOPI/ HASAN PASHA
"Monstra" i radhës i Peshkopisë pranon akuzën për përdhunimin e 4-vjeçarit. Nga burime zyrtare të policisë së Dibrës konfirmohet fakti se 18-vjeçari Ledjan Halili, pas disa orësh marrjeje në pyetje ka konfirmuar ngjarjen e rëndë. Ai pritet që të japë dëshminë e plotë sot, para trupit gjykues, pasi të njihet me akuzën "kryerje të marrëdhënieve homoseksuale me dhunë, me të mitur". Ndërkohë, djali i mitur, në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike, prej së mërkurës vazhdon të jetë nën kontrollin mjekësor në spitalin e Tiranës. Për të zbardhur atë që kishte ndodhur, policisë dhe prokurorisë së Peshkopisë u është dashur jo vetëm të punojnë me shpejtësi për identifikimin e autorit, por dhe të përmbajtur për hir të çështjes së rëndë. Mësohet se janë marrë në pyetje dëshmitarë të shumtë për ngjarjen, pjesa më e madhe familjarë të fëmijës, për të arritur në emrin e autorit të dyshuar e më pas në pohimin prej vetë gojës së tij. Nga grupi hetimor mësohet se e ëma ka dhënë dëshminë e saj para se të nisej me të birin për në Tiranë. "Djali kishte dhimbje në trup dhe kishte rrjedhje gjaku. Mendova se ishte rrëzuar dhe kishte pësuar plagë", ka treguar nëna, e cila vetëm disa orë më vonë ka marrë vesh se çfarë kishte ngjarë me të birin. "Ai vetëm qante dhe u detyrova ta dërgoja tek mjekët. Kushërinj të burrit më erdhën në ndihmë për ta dërguar në qytet. Sapo mjekët e panë shtangën. Nuk më thanë asgjë, por morën në telefon policinë. Djali qante pa pushim. Punonjës të policisë erdhën shpejt në spital. Mjekët m'u lutën të dilja jashtë. Nuk po e kuptoja çfarë po ndodhte. Pak dy-tre orësh mjekët më thanë se djali do të dërgohej në Tiranë për një kurim më të specializuar. Ndërkohë njerëzit e afërm të burrit që e kam në Greqi kishin mësuar më shumë se sa unë në lidhje me atë çfarë i kishte ndodhur djalit tim të vogël". Dëshmia e nënës së fëmijës së përdhunuar është marrë me shpejtësi nga oficerë të policisë gjyqësore në mjediset e spitalit të Peshkopisë. Dje ka përfunduar dokumentimi i ngjarjes dhe sot pritet që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër të vendosë masën e sigurisë për 18-vjeçarin e akuzuar për përdhunimin e të miturit, Ledjan Halili. Nga ana e tyre, familjarët e djalit të dhunuar kanë kërkuar masën ekstreme për të akuzuarin, i cili rezulton dhe kushëri i tyre. Sipas të atit të fëmijës, I.Halili, i ardhur me urgjencë nga Greqia për t'i qëndruar pranë familjarëve, shteti duhet të vendosë burgimin e përjetshëm për të. "Ta kisha djalin tim, do e vrisja me duart e mia. Po tani që u kap, i ngelet shtetit që të vendosë për izolimin e tij përjetë në burg", është shprehur ai. Ndonëse ata janë shprehur fillimisht se autori kishte probleme mendore, sipas policisë, i akuzuari nuk ka pasur më parë asnjë raport mjekësor.
Mjekët: Psikolog për fëmijën e përdhunuar
"Veç ndjekjes nga ana e mjekëve, 4-vjeçari i përdhunuar do të trajtohet edhe nga një psikolog. Kemi besim se trauma do të kapërcehet me kalimin e kohës". Këtë pohuan dje për gazetën burime nga stafi i mjekëve të Pediatrisë së Tiranës. Sipas tyre, fëmija për momentin është ende në gjendje shoku e nën kujdes të veçantë. "Është normale pas një akti të tillë, por kjo gjendje është kalimtare dhe themi se do ta kalojë pa pasoja", thanë mjekët. Sipas tyre, roli i psikologut në të tilla situata është i një rëndësie të veçantë". Këtë asistencë të specializuar fëmija do të marrë edhe pasi të dalë nga spitali. Drejtoria e spitalit ka dhënë mbështetje, në mënyrë që psikologu të dërgohet për seanca të caktuara edhe pranë familjes", pohuan burime të sigurta nga stafi i mjekëve.