E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli liron nga burgu Rezart Taçin

 

Armand Bajrami

Gjykata e Apelit vendosi dje lirimin nga qelia për presidentin e kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi, të akuzuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Rreth 15 ditë pas dorëzimit të tij në Drejtorinë e Policisë Tiranë, biznesmeni Taçi provoi sërish lirinë pas vendimit të Apelit që ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Vendimi, që u prit me brohoritjet “rroftë drejtësia!” dhe duartrokitje nga të afërm të biznesmenit, të pranishëm në seancë, u shpall nga gjyqtari Alaudin Malaj. “Gjykata vendos prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe shtetasit Rezart Taçi i jepet masa ‘detyrim paraqitje’”, u tha në vendim. Sipas vendimit, Taçi duhet të paraqitet në prokurori çdo të hënë në orën 14:30. Po dje, e njëjta treshe gjykuese ndryshoi masën e sigurisë në “arrest shtëpie” për një nga të bashkakuzuarit me Taçin, Bledar Lilo, ndërsa la të pandryshuar masën e “arrestit me burg” për Irgen Selfon. Mbrojtësit ligjorë të personave të pandehur kërkuan dje shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës që kishte lënë klientët e tyre në burg, ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë pretendoi se masat e dhëna nuk duhet të ndryshonin. Taçi, Lilo dhe Selfo akuzohen nga prokuroria për “goditje për shkak të detyrës” ndaj gazetarit Mero Baze, ngjarje e shënuar mbrëmjen e 3 nëntorit në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut në Tiranë. Masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar më pas ndaj tij, biznesmeni Taçi nuk arriti ta ndryshojë, ndonëse dy herë me radhë i ofroi Gjykatës së Tiranës garanci pasurore prej 100 mijë dhe 50 mijë eurosh. 
SHQYRTIMI
Ashtu si pritej, gjyqtarja Zeqine Sollaku, e përcaktuar nga shorti i Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankimit të Taçit në këtë gjykatë hoqi dorë dje nga çështja. Gjyqtarja pohoi e kishte të pamundur vijimin e shqyrtimit, pasi ajo kishte një proces gjyqësor të hapur ndaj gazetarit Mero Baze. Po ashtu, anëtari tjetër i treshes gjykuese, gjyqtari Fatos Qato u dorëhoq, pasi një i afërm i tij kishte detyrën e ekspertit kontabël në kompaninë e Rezart Taçit. Pasi u formua treshja gjykuese me kryesues gjyqtarin Alaudin Malaj dhe anëtarë gjyqtarët Metush Saraçi dhe Edmond Islamaj në orën 15:00 filloi shqyrtimi i ankimit të Rezart Taçi. Vetë biznesmeni i naftës nuk ishte i pranishëm në seancë. Mbrojtësi i tij ligjor, avokati Maksi Haxhia pohoi se caktimi i masës ekstreme “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës ishte i paargumentuar ligjërisht. “Gjykata e Tiranës ka vendosur masën më ekstreme të sigurisë, duke injoruar Kodin e Procedurës ku thuhet se: ‘Masa e sigurisë personale duhet të jetë në raport të drejtë me veprën penale të kryer dhe me personalitetin e personit’”, u shpreh avokati. Gjithashtu, avokati i Taçit tha se klienti i tij nuk paraqet rrezik për shoqërinë dhe se qëndrimi i tij në burg ka pasoja për biznesin e tij dhe indirekt për shtetin, pasi Taçi është një ndër taksapaguesit më të mëdhenj. Prokurori i çështjes cilësoi si konform ligjit vendimin e shkallës së parë duke kërkuar para gjykatës mosndryshimin e masës së sigurisë për Taçin. Në përfundim togat e zeza vendosën ndryshimin e masës “arrest me burg” për Taçin dhe caktimin ndaj tij të masës “detyrim paraqitjeje”.

Rezart Taçi lë burgun 302, ikën me dy makina
TIRANE - Rezart Taçi, biznesmeni i karburanteve, i burgosur për rrahjen e gazetarit Mero Baze, kaloi portën e burgut 302 në kryeqytet në orën 17:45 të mbrëmjes së djeshme. Në pritje të tij qëndronin tre fuoristrada të zeza me targa të huaja, dy tip “Range Rover” dhe një “Mercedez Benz-ML”, ndërsa personat që e prisnin jashtë burgut, për të shmangur kontaktin e tij me mediat, të ndihmuar nga autoritetet e burgut e nxorën biznesmenin jo nga hyrja kryesore e institucionit, por nga një derë tjetër, e cila përdoret nga familjarët për takime. Sipas ligjeve dhe rregullores së burgut kjo derë duhet të funksionojë vetëm për takimet e familjarëve me të paraburgosurit nga ora 08:30 deri në 15:00, kur mbyllet orari i takimeve. I bashkë arrestuari me të Bledar Lilo, doli në të njëjtën kohë nga dera kryesore e burgut, duke tërhequr vëmendjen e gazetarëve. Lilo mbante në dorë dy çanta me sendet personale të tij dhe të Taçit në momentin që kaloi portën e burgut. Brenda pak çastesh Taçi, i cili doli me shpejtësi nga dera e burgut hipi në fuoristradën “Mercedez”, ndërsa Lilo në njërën nga “Range Rover”-at. Pas kësaj të tri makinat u larguan me shpejtësi së bashku me të gjithë personat që kishin dalë ta prisnin. fa.ma.

Prokuroria thërret Mero Bazen, kallëzimi kthehet në dëshmi
TIRANE – Gazetari Mero Baze është thirrur dy ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë deklarime mbi incidentin, që ka pasur me punonjësit e kompanisë në pronësi të Rezart Taçit. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se gazetari është thirrur nga grupi i hetimit për të dhënë deklarime mbi ngjarjen e ndodhur më 2 nëntor 2009 në zonën e bllokut në kryeqytet. Sipas akuzës, shpjegimet e para të dhëna nga Baze gjenden në kallëzimin penal të bërë prej tij me akuzën për goditje për shkak të detyrës. Ndërkohë dy ditë më parë gazetari është marrë në pyetje duke rikonfirmuar të njëjtat rrethana për ngjarjen, të cilat tashmë janë kthyer në dëshmi të administruar në dosjen penale. Sipas prokurorisë, gazetari ka fajësuar për dhunë fizike të ushtruar ndaj tij, biznesmenin Rezart Taçi si dhe dy punonjësit e kompanisë “Taçi Oil”, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Prokuroria tha se thirrja e gazetarit Mero Baze për të dhënë deklarime është bërë n cilësinë e një veprimi procedural. Ndërkohë, prokuroria tha se është vënë në dijeni të katër emrave të personave, që kanë qenë dëshmitarë, të cilët kërkohet të pyeten nga avokatët e biznesmenit Rezart Taçi.                     tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›