E Diel, 1 Nëntor 2026

Ohër, në spitalin e kockave, ku gjejnë shërim shqiptarët

 

Nga e dërguara jonë në Ohër, Jorgjeta Gjançi

Në dalje të Ohrit, ndërsa rruga të çon në Strugë, një sërë godinash shtrihen përgjatë liqenit. Një tabelë, e cila duket se është vendosur aty prej disa dekadash të orienton: “Cbeti Erazmo”. Bëhet fjalë për spitalin e njohur dhe me emrin e shkurtuar Erazmo. Me pak sy në pamjen e parë, por që iu ka ndryshuar jetën mijëra njerëzve jo vetëm në Maqedoni, por në mbarë Ballkanin e deri në Australi. Nuk është e lehtë që njerëzit e paralizuar, të mbërthyer prej vitesh pas krevatit, t’i ngresh në këmbë dhe t’i bësh të ecin. Nuk është e lehtë që të tjerë me defekte të lindura në ekstremitete, sidomos në këmbë, t’i ndihmosh të ecin drejt e të gëzojnë shëndet të plotë. E pra, këtu janë shëruar edhe shumë persona të traumatizuar në aksidente e hemorragji cerebrale dhe i janë rikthyer jetës aktive. Vetëm kush i ka pasur në trup plagët dhe familjarët e tyre, i besojnë mrekullitë që ofron ky spital. I ndërtuar pesë dekada më parë nga shteti jugosllav, Spitali Ortopedik Special “Cbeti Erazmo” ka shërbyer për mëse 50 vjet si institut kërkimor e shkencor në fushën e shëndetësisë, por edhe qendër e madhe kurimi e ndërhyrjesh kirurgjikale. Atëherë kishte një kapacitet prej 600 shtretër, ndërsa pas shpërbërjes së shtetit jugosllav është një spital special ortopedik, me rreth 250 shtretër, ku kryhen operacione ortopedike dhe fizioterapi pasoperatore. Vazhdon të jetë spital shtetëror, por që rrit të ardhurat e tij edhe përmes vetëfinancimit nëpërmjet shërbimeve me pagesë, që iu afron pacientëve nga mbarë Ballkani e më gjerë. Mrekullitë e mjekëve ortopedë me duar të arta të këtij spitali, pas vitit 1990 i gëzojnë edhe mijëra shqiptarë, të cilët janë operuar nga stafi i këtij spitali. Gjithsej janë 35 mjekë ortopedë, neurologë, neurokirurgë, fizioterapistë e psikiatër dhe 270 infermierë të specializuar në lloje të ndryshme shërbimi. Nga një vështrim të shpejtë në librin e regjistrimit të vizitave e shtrimeve në këtë spital gjatë 3 muajve të fundit mësojmë se kanë kërkuar ndihmë shëndetësore 100 pacientë nga Shqipëria, ku rreth 90 prej tyre janë operuar e kanë kapërcyer probleme të rënda shëndetësore që iu ka ofruar jeta. Shumica kanë shkuar ose me barelë, ose të mbajtur përkrahu nga familjarët apo me ecje të shëmtuar (duke çaluar) dhe janë larguar të shëndetshëm e me ecje normale. “Vërtet paguajmë, - shprehen pacientët që gjetëm të shtruar në Erzamo, siç i thonë ata, - por hallall gjithçka. Këtë shërbim nuk e kemi gjetur në spitalet e vendit tonë, ku na është dashur të paguajmë edhe për kryerjen e injeksionit edhe për të blerë agën, pambukun dhe alkoolin”.
Sallat e operacionit janë të pajisura me pajisjet më të fundit kirurgjikale. Në mjediset e spitalit nuk mungon asnjë aparaturë e nevojshme për ekzaminim të saktë, për operim e kurim deri në shërim të plotë. Të gjitha, sipas nëndrejtorit të spitalit, Lubomir Bogoeskit, janë të fjalës së fundit të shkencës mjekësore. “Shteti nuk kursen për këtë spital, por ne financojmë edhe nga të ardhurat që sigurojmë përmes punës sonë. Është parimi numër 1 tërheqja në spital e protezave më të mira, tërheqja e materialeve nga firmat prodhuese më të mira në shkallë kontinenti e bote, të cilat kanë garanci maksimale për një kurim të suksesshëm”, shprehet ai.
Ndërkohë ata kanë ngritur dhe një rrjet ambulancash, aktualisht në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe shumë shpejt një e tillë do të hapet edhe në Pogradec për pacientët e interesuar dhe që kanë nevojë për vizita.

“Sekreti ynë, përkushtimi dhe pajisjet moderne”

Për nëndrejtorin e këtij spitali, Lubomir Bogoeski, i gjithë sekreti i suksesit dhe tërheqjes së pacientëve është përkushtimi dhe pajisjet e fundit që shfrytëzohen gjatë punës. Sipas tij, ky është ndryshimi kryesor me mjekët në Shqipëri.
Zoti Lubomir, njiheni edhe në Shqipëri si ortopedi që me duart e arta keni bërë mrekulli. Diçka për studimet dhe specializimin tuaj.
Ju falënderoj për çka thoni, përpiqem që të bëj detyrën time në shërbim të njerëzve. I kam vënë vetes detyrë të bëj maksimumin e mundshëm dhe puna më ka dhënë satisfaksione të mëdha. I përkas atij brezi që kam studiuar e jam specializuar në Shkup në vitet e ish-Republikës së Jugosllavisë. Më pas kam qenë gjithmonë në kërkim të specializimeve për të përsosur metodat e teknikën e operacioneve ortopedike. Kështu kam kryer specializime për të mësuar metodat e operacioneve amerikane, ruse, gjermane, të Austrisë… Edhe sot gjej kohën dhe studioj literaturë për operacionet ortopedike.
Cilat janë operacionet më të vështira që kryhen në spitalin tuaj?
Do të thosha se të gjithë operacionet janë të vështirë. Në 5 dekadat e punës në këtë spital është grumbulluar një përvojë e madhe e plot vlera. Unë sot kujtoj me respekt kirurgun ortoped Serafimof, prej të cilit brezi ynë mësoi mjaft. Shumë ortopedë e filluan punën me anomalitë e lindura tek fëmijët, më pas llojet e operacioneve u shtuan. Aktualisht unë operoj anomalitë e lindura e të krijuara në këllk e gjurin e pacientëve të mi dhe vendos proteza. Them që jam i suksesshëm sepse deri më sot nuk kam dështuar ndonjëherë edhe pse kam pasur shumë raste të vështirë.
Edhe në Shqipëri bëhen këto operacione, por jo gjithmonë kanë qenë të suksesshëm. Cili është sekreti juaj?
Në shëndetësi jo gjithmonë 1+1 bëjnë 2. Disa nga rastet e dështuara aty në vendin tuaj më pas kanë ardhur tek ne. Unë do të thosha se në përgjithësi mjekët ortopedë i kini të mirë, njohin e aplikojnë metoda të fundit në operacione. Po kam vënë re se protezat që ata përdorin nuk janë cilësore. E për këtë nuk është faji i tyre. Ne këtu përdorim jo vetëm protezat, por gjithë materialet nga më cilësoret që prodhohen sot në botë. Protezat për shembull së fundi i kemi marrë nga Amerika. Për këto investon shteti ynë, investon edhe spitali nga të ardhurat që siguron prej punës së përditshme. Këto materiale ne i konsiderojmë garant të punës se të tillë janë. Po qe se nuk kam material super në tavolinën e sallës së operacionit unë nuk filloj operacion fare. Pacienti vjen të shërohet jo të gjymtohet më keq se ç’është.
Cilët të sëmurë trajtohen e operohen në këtë spital?
Sëmundjet e pacientëve tanë janë të natyrave të ndryshme. Ka sëmundje të lindura, ka pacientë që vijnë me pasoja të rënda të aksidenteve automobilistike, me trauma dhe paraliza cerebrale, paraplegjikë etj.
Cili pacient iu ka mbetur në mend?
Kam operuar shumë dhe nuk i kujtoj. Por po tregoj për një 45-vjeçare nga Shkodra, e cila në jetën e saj nuk kishte ecur asnjëherë për shkak të një anomalie të lindur në këllk. Erdhi në barelë dhe e operova. Disa ditë pas operacionit e ngrita në këmbë. Qëndroi, u lumturua, qau si fëmijë, më puthte duart, më përqafonte, më uronte në gjuhën tuaj. Në ditët më pas hodhi hapin e parë, të dytin dhe u largua nga spitali me këmbët e veta. Më ka telefonuar disa herë e më ka thënë se ecën normalisht dhe nuk ndjen asnjë lloj dhimbje.

Alfred Liçaj, babai i një 15-vjeçari nga Durrësi
“Kam disa ditë që kam operuar djalin tim, Tomasin nga ligamenti dhe kroçarti i gjurit të djathtë. Luan futboll me para të rinjtë në Durrës dhe u dëmtua para një viti. Prej asaj kohe u dergjëm nëpër spitalet e vendit tonë. Bëmë dokumentet për të kryer rezonancën në shërbimin shtetëror dhe na zvarritën muaj të tërë. Së fundi shkuam dhe e bëmë tek privatët. Në këtë moment ramë në kontakt me mjekët maqedonas në një ambulancë që kanë hapur në Tiranë. Nuk na zvarritën fare, na lanë ditën e operacionit dhe ja ku jemi sot. Doktori Ajco ma shpëtoi djalin nga një traumë që mund të ma gjymtonte për tërë jetën”. Liçaj thotë se operacioni i ka kushtuar 3,320 euro, por pa paguar asnjë ryshfet gjatë ditëve në vazhdim. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›