E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Anëtarë të qeverisë, spiunë të Sigurimit

 

Debat për hapjen e dosjeve në Kuvend. Leskaj akuzon qeverinë. Kundërshton Patozi

TIRANË- Çështja e “dosjeve” të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit është bërë dhe një herë shkak për një debat të ashpër midis opozitës dhe mazhorancës në sallën e Kuvendit, ku natyrisht nuk kanë munguar as akuzat se përfaqësues me pushtet, janë të implikuar direkt në përndjekjen dhe dënimin e mijëra shqiptarëve gjatë sistemit komunist. Debati ka marrë fill nga fjala e ish-ministrit të Drejtësisë, i cili duke sjellë në vëmendje të Kuvendit vuajtjet e ish-dënuarve të burgut të Spaçit dhe kontributin e tyre në ndërtimin e një sërë objektesh të rëndësishme gjatë atij sistemi, përfshi këtu edhe stadiumin “Dinamo” (sot Selman Stërmasi), ka kërkuar që politika të marrë në konsideratë vuajtjet e tyre dhe të dëmshpërblejë ata për mundin e dhënë. Ndërkohë kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, duke mbështetur plotësisht shqetësimin e ngritur nga Bumçi për dëmshpërblimin e të dënuarve të Spaçit, ka deklaruar se ndihma më e mirë që do t’i bëhej atyre do të ishte, natyrisht, hapja e dosjeve, për të parë se cilët kanë qenë njerëzit që i kanë përndjekur. Leskaj nuk ka ngurruar që të bëjë edhe një akuzë të drejtpërdrejtë se njerëz me pushtet, midis tyre dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, janë të implikuar në bashkëpunimin me ish-Sigurimin e Shtetit. Prandaj, ka theksuar ajo, do të ishte në moralin e Parlamentit që të miratojë ligjin për hapjen e dosjeve, si e vetmja mënyrë për të pastruar politikën nga njerëz që mbartin nga e shkuara e tyre, vepra të tilla. “Mbështesim çështjen për Burgun e Spaçit, por gjeja më e mirë është që të votohet ligji i dosjeve. Se ka edhe ca njerëz në qeveri, që kanë kontribuar direkt dhe indirekt për të dënuar ata. Prandaj mendoj se ka ardhur koha që edhe mazhoranca të marrë guximin për të marrë në diskutim dhe më pas të miratojë një prej drafteve që janë depozituar prej kohësh në Kuvend. Ky do të ishte nderi më i madh që mund t’i bëhej asaj shtrese të persekutuar në burgjet e diktaturës”, - u shpreh Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i homologut të saj demokrat, Astrit Patozi, i cili i ka kërkuar opozitës që të mos shtojë edhe më vuajtjen e të dënuarve të atij sistemi, me deklarata hipokrizie. “Nuk ka asnjë lidhje mes sakrificës së të burgosurve të Spaçit dhe hapjes së dosjeve dhe përpara se ju të përmendi dosjet, një gjë duhet të keni parasysh, se ne duhet të dënojmë ato krime monstruoze dhe hanxharët e diktaturës. Ata i dënuan ata njerëz, duke i përdhosur dhe duke i përmendur histori me dosje”, - u shpreh Patozi. Ndërkohë që klasa politike i kthehet herë pas here këtij debati, prej më shumë se një viti e gjysmë, në Kuvendin e Shqipërisë qëndrojnë të depozituara tre projektligje që kanë për qëllim verifikimin e pastërtisë së figurës së politikanëve, nëpërmjet hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›