E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset gjimnazisti në oborrin e shkollës

 

Një 19-vjeçar nga Farka është plagosur me thikë, pas një konflikti për të fejuarën. Ndodhet në gjendje të rëndë në spital

Policia arreston studentin e Juridikut për krimin. Motivi i sherrit, ngacmimi i të fejuarës së viktimës

TIRANË- Sherri për të fejuarën, për pak i ka kushtuar jetën një gjimnazisti në periferi të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, në ambientet e jashtme të shkollës së mesme të komunës Farkë, kur Dylber Allaraj, 19-vjeç, nxënës i vitit të II pranë kësaj shkolle, është goditur me thikë nga një moshatar i tij. Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, pranë shkollës mbërritën forcat e policisë si dhe specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit të drejtorisë së policisë së Tiranës, për të identifikuar dhe kapur autorin. Vetëm pak minuta më vonë, policia bërë të mundur zbulimin e autorit të plagosjes dhe më pas arrestimin e tij i cili është 19-vjeçari Miriam Tufa, student në vitin e parë në fakultetin e Juridikut. Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet e paradyshohet se konflikti përmes të dëmtuarit dhe autorit ka qenë rrjedhojë e një debat me fjalë për motive të dobëta. Më pas, debati ka degraduar në grushte deri në përdorimin e thikës.

Ngjarja

Dylber Allaraj studionte në vitin e dytë në shkollën e mesme të komunës Farkë në Tiranë. Në të njëjtën shkollë mësonte edhe e fejuara e tij, e cila dyshohet se i ka rënë në “sy” 19-vjeçarit Miriam Tufa i cili ndiqte studimet e larta në fakultetin e Juridikut, në vitin e parë. Ky i fundit, me banim në Farkë shkonte pranë shkollës së mesme dhe sapo shikonte të fejuarën e Allarajt, i hidhte fjalë. Këtë fakt e ka mësuar i fejuari i vajzës, i cili menjëherë ka reaguar. Sapo ka parë rreth orës 11:00 të paradites së djeshme Tufën në oborrin e shkollës, 19-vjeçari i është afruar duke i kërkuar sqarime për ngacmimet ndaj të fejuarës së tij. Kjo gjë duket se nuk është pritur mirë nga studenti, i cili iu kundërpërgjigj me tone të ashpra. Mes dy moshatarëve ka nisur një debat ku pas fjalëve fyese të ndërsjella, radha u ka ardhur grushteve. Më pas Tufa ka nxjerrë një thikë duke e goditur dy herë në pjesë të ndryshme të trupit moshatarin e tij.

Policia

Pas plagosjes, Dylber Allaraj u transportua menjëherë në spitalin Ushtarak, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes mbërriti policia, duke bërë të mundur zbulimin e motivit dhe të autorit të plagosjes. Burime nga policia thanë se nuk ka qenë e vështirë të identifikohet autori, pasi dëshmitarët kanë qenë të shumtë të cilët deklaruan dhe gjeneralitetet e studentit i cili tentoi të largohej. Ai u kap vetëm pak orë më vonë nga policia, e cila e shoqëroi në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku dhe i komunikoi masën e arrestit. Në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar iu sekuestrua thika e krimit. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes të dëmtuarit dhe autorit pasi ky i fundit ngacmonte të fejuarën e 19-vjeçarit Allaraj. Megjithatë policia bëri me dije se po punohet për të zbardhur saktë motivin e kësaj ngjarjeje që rrezikoi jetën e gjimnazistit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›