E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli pro Bashës, Prokuroria ankimon vendimin

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Jashtëm fiton betejën e radhës me Prokurorinë e Përgjithshme. Gjykata e Apelit cilësoi dje si të drejtë vendimin e Shkallës së Parë, i cili klasifikon si të paligjshme zgjatjen e afateve të hetimit, dhe çdo veprim të kryer pas 6 nëntorit ndaj Lulzim Bashës. Vendimi i Shkallës së parë është dhënë në dhjetor të vitit të shkuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila jo vetëm u preu udhën hetimeve, por shpalli të pavlefshme disa akte të dosjes.
Vendimi
Gjykata e Apelit vendosi dje të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Ky vendim është marrë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, në dhjetor të vitit të shkuar. Sipas vendimit, u shpallën të pavlefshme vendimet e Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatjen e afateve të hetimit, 6 nëntor – 6 dhjetor dhe cilësimin të paligjshëm të çdo veprimi të kryer pas 6 nëntorit, ku dhe u vu nën akuzë për abuzime me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. Më pas vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë u apelua nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentimin se është Gjykata e Lartë kompetente për të shqyrtuar kërkesat penale të bëra nga personat që gëzojnë imunitet, sikurse parashikohet në nenin 141 të Kushtetutës. Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha gëzon imunitetin e deputetit dhe për pasojë çdo kërkesë e tij duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë Gjykata e Apelit zhvilloi një seancë më 27 janar, por, për shkak të dorëheqjes së dy gjyqtarëve, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca, të cilët kishin shqyrtuar kërkesën penale të Armand Telitit, ish-zv.ministër i Trasporteve dhe Andi Tomës, ish-drejtor juridik, gjyqi u shty për ditën e djeshme.
Dosja
Dosja penale ndaj Lulzim Bashës mban nr.5 dhe është regjistruar pranë Gjykatës së Lartë më 6 dhjetor 2008. Sipas Prokurorisë, Lulzim Basha, në kohën kur mbante postin e ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri, ka abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Hetimet për abuzimet me fondet nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Tiranës. Nën akuzë u vunë ish-zv.ministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma, dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Pasi u gjetën elementë të shpërdorimit të detyrës nga ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, dosja i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme. Për të hetuar më tej, Prokuroria kërkoi nga Kuvendi që deputetit Basha t i hiqej imuniteti, kërkesë e cila u miratua. Pas dhjetë muajsh hetime, Prokuroria e vuri nën akuzë Lulzim Bashën. Pas refuzimit të këtij të fundit për t u paraqitur në Prokurori, dosja penale u dorëzua për gjykim në Gjykatën e Lartë. Prokuroria arriti në përfundimin se Lulzim Basha i ka kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera”, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të Ministrisë së Transporteve, Andi Toma. Ndërkaq, për ish-zv/ministrin Teliti dhe Lelja Saraçin, Prokuroria vendosi të pushojë akuzat për mungesë provash dhe faktesh.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›