E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Stabiliteti financiar”

Autori i Lajmit: red.
Të ardhurat nga emigracioni gjatë 11-mujorit të vitit 2008, u vlerësuan në rreth 947 milionë euro, ose 1.1 % më shumë se një vit më parë, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të saj mbi "Stabilitetin financiar". Por ky sector, vlerësojnë ekspertët e bankave, mbetet i ekspozuar ndaj "goditjeve" të ambientit ekonomik botëror, çka pritet të reflektojë rënie të remitancave (paratë nga emigracioni) dhe shtrëngim të kushteve të financimit. Banka e Shqipërisë bën të ditur se ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohej në një rritje ekonomike më të ngadaltë gjatë vitit 2009. Sipas BSH-së, një rritje më e ulët ekonomike nuk përkthehet domosdoshmërisht në krizë për Shqipërinë, por është një zhvillim i përkohshëm i diktuar nga faktorë të jashtëm.
Duke iu referuar një vrojtimi për tremujorin e tretë të vitit 2008 të Bankës së Shqipërisë, rezulton se rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët.
Sipas BSH-së, shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët.
Ndërkohë ekspertët bankarë vërejnë se dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonat rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.

Ky lajm është publikuar: 03/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›