E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rikthen në qeli 36-vjeçarin, aksidentoi me vdekje një të mitur



DURRËS – Rikthehet në qeli 36-vjeçari që aksidentoi me vdekje një fëmijë në Spitallë të Rrethit të Durrësit. Gjykata e Apelit dha masën e sigurisë “arrest me burg” duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte dhënë vendimin “arrest në shtëpi” për shtetasin Zamir Bajrami, lindur në Durrës dhe banues në Lagjen Nr. 15. Menjëherë pas vendimit, policia bëri ndalimin e Bajramit. Ky shtetas ka aksidentuar me vdekje një fëmijë 2-vjeçar në Lagjen Nr. 15 të qytetit të Durrësit rreth një muaj më parë. Materialet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” do t’i kalojnë Prokurorisë së Apelit Durrës për veprime të mëtejshme.

Përmbyten 400 hektarë tokë bujqësore në Lezhë

LEZHË – Reshjet e rëna gjatë katër ditëve të fundit në vendin tonë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Qarkun e Lezhës. Burimet zyrtare pohojnë se shumë zona të këtij rrethi janë zgjuar dje të pushtuara nga uji. Tokat e tyre të mbjella me grurë dhe me zarzavate të stinës janë të përmbytura. Shirat e rënë ditën e premte kanë përmbytur tërësisht Ultësirën e Lezhës. Kështu në rrethin e Lezhës janë të përmbytura 200 ha tokë në Komunën Balldre, në Zejmen gjenden 200 ha të përmbytura. Ndërsa në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit janë 400 ha tokë të përmbytura. Fshatarët ankohen se nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme për të shpëtuar të mbjellat e tyre, askush nga Qarku apo Prefektura e Lezhës nuk jep shpjegime ku shkojnë fondet e emergjencës në një zonë kaq problematike si Lezha e Kurbini në stinën e dimrit. Dy ditë më parë u regjistruan përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në qarqet e Fierit, Vlorës dhe Beratit. Si pasojë e reshjeve u dëmtua Ujësjellësi i Çorovodës. Lumenjtë e Vjosës dhe Osumit dolën nga shtrati duke rrezikuar me dhjetëra banesa dhe duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›