Lajla Pernaska, kandidate postin e kryetares së PD-së së Tiranës
Lajla Pernaska është kandidatura e radhës që serviret nga burime informacioni pranë selisë blu, për postin e kryetares së Partisë Demokratike të Tiranës. Pernaska aktualisht është deputete e Partisë Demokratike e zgjedhur në zgjedhjet e vitit 2005 në kryeqytet. Ajo njihet për rolin në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe në nxitje të integrimit të gruas në politikë. Pernaska duket të jetë një tjetër kandidaturë që po diskutohet në forumet e larta të Partisë Demokratike. Aktualisht në tregun mediatik është hedhur kandidatura e vetëshpallur e ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, ajo e drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Gjergji Bojaxhiu, dhe kandidatura e deputetit të Tiranës, Edi Paloka. Burimet bëjnë të ditur se zgjedhjet për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës do të zhvillohen muajt e parë të vitit të ardhshëm. Pritet që fushata për këtë post të ketë një rëndësi të veçantë dhe për peshën politike që ka posti i kryetarit të PD-së së kryeqytetit. Fituesi i këtij posti do të zëvendësojë kryetarin aktual të kësaj dege, ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi.
21 Dhjetor 2008