Rishfaqen linjat ndërkombëtare të trafikut klandestin, kapen 7 afganë
DEVOLL – Rishfaqet linja ndërkombëtare e trafikut klandestin nga Afganistani drejt Shqipërisë me destinacion Perëndimin. Vetëm dje policia kufitare ndali në Kapshticë 7 shtetas afganë, të cilët po tentonin të hynin në Shqipëri me një maune mallrash, me targa turke, për të vijuar më pas udhëtimin drejt Italisë. Grupi i klandestinëve afganë, sipas burimeve zyrtare të policisë kufitare, u bllokua rreth orës 13:00 të ditës së shtunë gjatë një kontrolli të ushtruar në një maune me targa turke që kishte si destinacion Tiranën. Nga verifikimet e para të policisë kufitare rezulton se grupi i shtetasve afganë do të kalonte tranzit për në territorin shqiptar për të udhëtuar më pas në mënyrë klandestine për në drejtim të Italisë. Mësohet se drejtuesi i maunes është shoqëruar në polici, e cila po vazhdon hetimet për lidhjet e mundshme të tij me grupin e klandestinëve afganë. Aktualisht, grupi prej 7 klandestinësh është shoqëruar në ambientet e qendrës GOS, stacionit të kufirit pranë Kapshticës, ndërsa ende nuk është vendosur për procedurat që do të ndiqen me ta. Kjo është hera e katërt brenda këtij viti që policia kufitare shqiptare kap në Kapshticë grupe me emigrantë klandestinë të huaj, të cilët synojnë që të emigrojnë në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Ekspertët e organizmave ndërkombëtare e konsiderojnë Shqipërinë një vend tranzit ku grupe të organizuara kalojnë ilegalisht në Perëndim përmes pikave të kalimit kufitar.
Arrestohet i kërkuari për trafik droge, ishte dënuar me 15 vjet burg
GJIROKASTËR – Pas katër vitesh kërkimi, policia ka arritur të ndalojë një shtetas, i dënuar me 15 vjet burg për trafik droge. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se specialistët e Sektorit Operacional vunë në pranga Florian Shtalbin, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Prangosja e tij është bërë pasi ishte i shpallur në kërkim nga Sektori i Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Ndaj të arrestuarit Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër më datën 24 tetor 2005 ka nxjerrë urdhrin me Nr. 65 për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Gjirokastrës, e cila, më 9 qershor 2004, e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burg për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Ndërkohë që dhe Gjykata e Apelit në datën 4 prill 2005 ka lënë këtë masë dënimi. Në mëngjesin e datës 4 korrik 2002, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, shërbimet e policisë gjatë një kontrolli rutinë të bërë në automjetin tip Man, me targa TR 2871 E (koka) dhe TR 13 74 G (trajleri), i drejtuar nga shoferi D. M., kanë gjetur të fshehur në një ndarje të trajlerit frigoriferik të kësaj makine sasinë e lëndës narkotike mariuanë prej 1720 kilogramë. Nga hetimet ka rezultuar se ky person ishte njëri prej poseduesve të kësaj lënde narkotike dhe është gjykuar në mungesë. Kapja e këtij u bë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në banesën e tij.
Arrestohet i kërkuari për grabitjen me armë në vitin 1997
GJIROKASTËR- Një tjetër vrasje e ndodhur në vitin 1997 është zbuluar nga forcat e policisë së Gjirokastrës. Shtetasi Edmond Goxhaj është arrestuar pasi akuzohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë ka kryer një grabitje në vendin e quajtur Agjencia e Udhëtarëve në qytetin e Tepelenës, ngjarje e ndodhur më 22 maj të 1997-s. Sipas policisë, 39-vjeçari grabiti me dhunë pasagjerët e një autobusi që udhëtonte nga Fieri në drejtim të Gjirokastrës. Edmond Goxhaj, me banim aktualisht në Tiranë, ishte shpallur në kërkim në 2001-shin pasi Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 6 vjet burg për veprën penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim”. Sipas policisë, dy bashkëpunëtorët e tij në këtë grabitje tashmë kanë kryer dënimin dhe janë në gjendje të lirë.
21 Dhjetor 2008