Trupat ushtarake shqiptare përfundojnë misionin në Irak
Janë rikthyer në atdhe trupat ushtarake shqiptare që përfunduan misionin e tyre në Irak. Një pjesë e kontingjentit të trupave mbërriti sot në aeroportin "Nënë Tereza", ku u zhvillua një ceremoni në të cilën mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Gjatë fjalës së tij, ministri Oketa falënderoi dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ushtarakët të cilët mbajtën me nder flamurin shqiptar në Irak. “Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, u shpreh mirënjohje këtyre ushtarakëve që kanë mbajtur me nder flamurin shqiptar. Patëm sadisfaksionin që gjatë qëndrimit në Irak të dëgjojmë vlerësimet maksimale për ushtarakët shqiptarë”, - u shpreh Gazmend Oketa. Ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohje për aleatët e koalicionit, veçanërisht SHBA-të, për besimin që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare. Në fund të fjalës së tij Oketa shprehu mirënjohje edhe për ata ushtarakë që nuk janë kthyer ende nga misioni në Çad dhe Bosnjë-Hercegovinë. Pjesa tjetër e kontingjentit do të kthehet në ditët në vijim. Misioni shqiptar uli flamurin në Basra ditën e enjte, në një ceremoni ku i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Oketa, si dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë. Përfundimi i këtij misioni nga autoritetet shqiptare deklarohet i suksesshëm.
21 Dhjetor 2008