E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr mes deputetit Zogaj dhe disa drejtorëve në qarkun e Lezhës



Ka përfunduar në një sherr banal takimi i drejtuesve të drejtorive të qarkut Lezhë dhe deputetëve në analizën e këtyre drejtorive për vitin që po mbyllet. Kësaj radhe janë edhe drejtoritë e qarkut ato që mbështesin strukturat e PD-së kundër deputetit Preç Zogaj, që sipas tyre po tejkalon kompetencat e tij si deputet, duke u kthyer në rolin e një shefi kuadri për qarkun e Lezhës. Mbledhja ka filluar e qetë dhe normale, me kritika dhe përgjegjësi për punën e kryer nga drejtoritë e ndryshme. Gjithçka është ndezur kur deputeti Zogaj, i cili kryesonte këtë takim, ka filluar edhe njëherë debatin e tij me OSSH-në e Lezhës, duke akuzuar drejtuesit e saj për korrupsion dhe largime nga puna të demokratëve. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PD-së në Lezhë, Pal Trashaj, i cili i ka kujtuar deputetit që kritikat të bëhen me fakte konkrete dhe jo me inate personale. Deputeti Zogaj e ka quajtur OSSH-në e Lezhës si folenë antidemokrate. Kreu i PD-së në Lezhë, Trashaj, i është drejtuar deputetit Zogaj duke i rikujtuar edhe njëherë se duhej të kishte reaguar kur shumë demokratë u larguan nga puna në Drejtorinë e Bordit të Kullimit dhe asaj të Sigurimeve Shoqërore nga drejtuesit e tyre. Sipas kreut të PD-së, këta demokratë, që në fakt ishin punonjës të rregullt, u dëbuan nga puna sepse ngritën zërin kundër korrupsionit. Trashaj ka vijuar më tej duke iu drejtuar deputetit Zogaj se nuk ka ndërhyrë edhe në rastet kur shumë tendera u dhanë pa kriter nga këto drejtori vetëm për interesa klienteliste. Sipas tij, të gjitha këto fakte nuk u denoncuan nga deputeti. Pas këtyre akuzave, që kryetari i PD - së në Lezhë bëri ndaj deputetit dhe këtyre drejtorive, mbledhja ka degjeneruar në fyerje dhe sharje personale në mes të palëve. Pas këtyre përplasjeve ka ardhur edhe reagimi i drejtoreshës së zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Lule Zeneli, e cila ka debatuar ashpër me deputetin Zogaj. Sipas saj, në drejtorinë e saj po bëhen emërime punonjësish pa arsim, pa përvojë dhe mbi të gjitha ka edhe prej atyre nuk kanë të depozituar dosjen e tyre personale. Ajo i ka kërkuar deputetit që të mos influencojë në emërimet e këtyre punonjësve.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›