E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër tiranas në pranga, po trafikonin marijuanë drejt Greqisë

Operacioni “Sai” mbyllet me prangosjen e katër trafikantëve Bllokohen në pikën e Tri Urave 42 kg marijuanë dhe 2 makina

GJIROKASTËR – Katër persona nga Tirana kanë rënë në pranga pasi janë kapur në kushte flagrance duke trafikuar një sasi lënde narkotike drejt Greqisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Skai” janë arrestuar 4 persona (dy prej tyre janë vëllezër) dhe janë sekuestruar 42 kilogramë marijuanë. Aksioni është bërë në orët e mbrëmjes së të premtes nga specialistët dhe agjentët e Sektorit kundër Drogës. Në bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike në drejtim të kufirit të gjelbër midis Tri Urave dhe Leskovikut u riorganizuan shërbimet nga efektivat e Sektorit të Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Grupet e gatshme kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në aksin rrugor Përmet-Leskovik. Rreth orës 23:50, operacioni u përfundua me sukses. Në aksin rrugor Përmet-Leskovik u bë i mundur arrestimi në flagrancë i katër personave dhe sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike. Në pranga janë vënë Leonard Luzi 26 vjeç dhe Oljon Muçollari. Shtetasit janë me banim në rrethin e Tiranës. Ata po udhëtonin me dy mjete dhe konkretisht me mjetin tip “Opel”, me targa të huaja BS 055 JE, që drejtohej nga Jetmir Madani dhe me mjetin tip “Benz”, me targa TR 6928 J, që drejtohej nga Olion Muçollari. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Opel u konstatuan tri çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Këta persona do të bënin transportin e kësaj lënde narkotike deri në tokën greke. Sasia e lëndës së sekuestruar rezultoi të ishte 42 kilogramë. Nga ana e policisë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike dhe i automjeteve, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale. Burimet policore sqarojnë se materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës pasi katër shtetasit e arrestuar akuzohen për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Gjatë tre muajve të fundit janë regjistruar disa raste të tentativave të trafikut të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Në Sarandë u arrestuan pesë shtetas nga Delvina, pasi iu gjetën dhe sekuestruan 286 kg Cannabis sattiva. Po ashtu, janë ndaluar edhe disa shtetas të tjerë në pikën kufitare të Tri Urave dhe në Kakavijë.

TË ARRESTUARIT
Leonard Vait Luzi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Kashar Tiranë.
Oljon Xhezmi Muçollari, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Jetmir Hysen Madani, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz
Shkëlzen Hysen Madani, 20 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kamzë

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›