Argita Malltezi: Taçi jo klienti im
Argita Malltezi reagoi dje ndaj akuzave të fundit, që i janë bërë në lidhje me pretendimet se biznesmeni Rezart Taçi ka qenë klient i studios së saj ligjore. Vajza e kryeministrit, i konsideroi pretendimet në fjalë si shpifjen e radhës në adresë të saj, duke hedhur poshtë informacione të tilla. "Sqaroj me përgjegjësi të plotë se Rezart Taçi në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka qene klient i studios sime", thuhet në deklaratën e shpërndarë dje për median nga Argita Malltezi. Ajo shton më tej se nuk ka fakte për një pretendim të tillë, kur thotë shprehimisht në deklaratë, se: "Jam e hapur t'i përgjigjem çdokujt që pretendon se ka prova për të kundërtën".
Baze
Në deklaratën e saj Argita Malltezi pohon se në fakt botuesi i gazetës Tema ka qenë klient i studios së saj ligjore. "Në fakt, e vërteta është se Mero Baze ka qenë klient i studios sime deri në kohën kur studioja i refuzoi të përpilonte sipas kërkesave të tij një praktikë për rimarrjen pa shpërblim të gazetës "Tema", të cilën ai më parë e kishte shitur me një çmim qindra milionësh", thuhet më tej në deklaratën e Argita Berishës. Ajo shpjegon më tej në radhët vijuese të deklaratës, se: "Kur ne i bëmë të qartë Mero Bazes, së një praktikë e tillë binte erë pastrimi parash, ai vendosi të mos ishte më klient i studios sonë dhe nisi serinë e tij të shpifjeve".
Dhuna
Në deklaratën e djeshme, Argita Berisha shprehet se e dënon ashpër dhunën ndaj cilitdo gazetari. "Duke qenë e detyruar të bëj këtë përgënjeshtrim, gjej rastin të shpreh keqardhjen e thellë dhe t'i uroj shërim z. Baze, si dhe të dënoj ashpër dhunën ndaj tij dhe cilitdo gazetari tjetër si një akt absolutisht të papranueshëm dhe që lëndon mbarë shoqërinë", përfundon deklarata e djeshme e Argita Berishës. Kjo e fundit reagoi pas publikimeve në gazetën "Tema" në të cilat pretendohej se biznesmeni Rezart Taçi ka qenë klient i studios ligjore të drejtuar prej Argita Malltezit në Tiranë
Ekspertiza: Dhunimi i Mero Bazes, rrahje
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë e konsideron rrahje dhunimin e gazetarit Mero Baze, javën që shkoi në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Prokuroria i kërkoi Mjekësisë Ligjore kryerjen e një ekspertimi në lidhje me dëmtimet e pësuara nga gazetari gjatë sulmit fizik të ushtruar ndaj tij. Ekspertimi u kërkua në mënyrë që raporti mjeko-ligjor të administrohet në dosjen penale të hapur ndaj biznesmenit Rezart Taçi dhe bodigardëve të tij për akuzën "goditje për shkak të detyrës". Me qëllim dokumentimin e ngjarjes, prokuroria kërkoi ekspertimin mjeko-ligjor, i cili deri pak ditë më parë nuk kishte mbërritur në prokurori. Ndërkohë, mësohet se organi i akuzës ka marrë konfirmimet e veta mbi rezultatin e ekspertimit, i cili ka arritur në përfundimin se dëmtimet e shkaktuara ndaj gazetarit Mero Baze arrijnë në shkallën e rrahjes. Tri ditë më parë për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës vendosi të linte në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg pa afat" ndaj biznesmenit Rezart Taçi. Ai nuk e ka pranuar akuzën ndërsa ofroi 100 mijë euro garanci pasurore në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë. Shuma e garancisë së ofruar nga biznesmeni, nuk u pranua nga gjykata e cila la në fuqi vendimin e saj të dhënë më parë në mungesë të biznesmenit. Ky i fundit u vetëdorëzua tri ditë pas arrestimit të bodigardëve të tij Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Tre personat akuzohen së mbrëmjen e të hënës, një javë më parë, në bashkëpunim mes tyre ushtruan dhunë fizike mbi gazetarin Mero Baze, për shkak të detyrës së tij. t.s