Apeli rivendos 20 vjet burg për Nehat Kullën
VENDIMI/ I mbiquajturi "Gjenerali" u dënua për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Brendshëm
DURRËS -Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi masën e dënimit prej 20 vitesh për Nehat Kullën, vendim i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kavajës. Gjyqi ndaj "Gjeneralit" u zhvillua në orët e paradites.
Ai është dënuar për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata, më 29 korrik 1998, në Kavajë. Vendimi u dha dje pas një seance disaorëshe. Mbrojtja ka hedhur poshtë të gjitha provat e dhëna nga akuza duke i cilësuar ato të pabaza dhe joshkencore, si për cilësinë e dëshmitarëve të paraqitur, ashtu edhe për përgjimet telefonike që i ishin bërë një tregtari italian.
Vrasja e shoferit të ish-ministrit ishte e pazbardhur deri para disa vitesh, por prokuroria vendosi që ta hapë sërish këtë çështje. Rinisja e hetimeve u bë, pasi sipas institucionit të akuzës kishte disa dëshmitarë të cilët deklaruan se ishte Nehat Kulla ai që qëlloi mbi Halim Gjuzin.
Ngjarja për të cilën u dënua Kulla ka ndodhur në autostradë në afërsi të Golemit. Halim Gjuzi ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij.
Dëshmitarët kanë pohuar se shoferi i ish-ministrit është qëlluar me armë zjarri në prani të familjes së tij, ku bënin pjesë edhe dy fëmijët. Gjuzi ndodhej duke udhëtuar drejt qytetit të Durrësit i shoqëruar edhe nga dy miq të tij italianë.
Bëhet e ditur se autori i krimit ndodhej në një "Shevrolet" me targa ushtarake shtetërore. Ai besohet se ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, ndërsa ka qëlluar me një pistoletë të mbushur që e mbante në kroskotin e automjetit të tij.
Dëshmitarët rrëfyen se automjeti i personit që kreu vrasjen u largua në drejtim të qytetit të Kavajës. Për këtë ngjarje tashmë Nehat Kulla, edhe pse s'e ka pranuar akuzën, do të vuajë dënimin me 20 vjet burg.
Mbrojtja: Provat e paraqitura, të jashtëligjshme
Pala mbrojtëse e gjyqit të zhvilluar ka qenë kategorike në kundërshtimin e provave të paraqitura, si dhe ndaj masës së dënimit të cilën nuk e ka pranuar.
Sipas avokatëve, të gjitha provat janë të pavlefshme, pasi edhe dëshmitë e paraqitura ishin të deformuara. Sipas tyre, në përgjimet dhe veprimet e kryera të procedurës hetimore nuk del asgjëkundi se ai është fajtor për këtë vrasje.
Edhe në paraqitjen për njohje që bëhet në dy faza, ata kanë theksuar se karakteristikat e dhëna në fazën e parë nuk përputheshin me ato të ballafaqimit të personit në fazën e dytë.
Po ashtu kanë evidentuar se zbardhja e përgjimit të shtetasit italian ka qenë joprofesionale dhe e keqinterpretuar, pasi ai nuk e ka njohur asnjëherë dhe s'e ka pranuar këtë dëshmi.