Sistemi nuk njeh gërmat "ë" dhe "ç"
KARTAT E IDENTITETIT/ Në zyrat e gjendjes civile certifikatat lëshohen me "e" dhe "c", çka shkakton kaos në zyrat e aplikimit
Kur përpiqen të riparohen shkronjat e shqipes, sistemi çorientohet dhe regjistron gabim një tjetër element të gjeneraliteteve
ELBASAN - Gërmat e gjuhës shqipe nuk njihen nga sistemi kompjuterik që disponojnë Zyrat e Kartave të Identitetit. ë-ja dhe ç-ja prej një muaji vazhdojnë të sjellin probleme në procesin për aplikimin e kartave të identitetit në Bashkinë Elbasan, ndërsa shumë qytetarë kthehen mbrapsht dhe nuk e përfundojnë aplikimin e tyre.
Por ndërkohë që zyra për aplikimin e kartave të identitetit i kthen qytetarët që kanë një shkronjë të tillë në vendlindje, ankesat përplasen në zyrat e gjendjeve civile.
Drejtori i Gjendjeve Civile pranë Bashkisë Elbasan, Lavdim Gjoza, thotë se ankesat lidhur me shkronjat janë të shumta, por riparimi i tyre është i lidhur me sistemin kompjuterik që disponojnë.
"Ankesat e qytetarëve që hasen çdo ditë lidhen me gërmën ë dhe ç. Sistemi kompjuterik që përdorim nuk i njeh disa shkronja dhe data, ndërkohë që ka shumë vendlindje me ë dhe ç. Duhen bërë disa ndryshime në sistem. Vetë firma e kartave duhet ta ndryshojë sistemin. Ka kaluar tashmë një muaj dhe ky defekt nuk është riparuar.
Ka mbi 1000 persona me origjinë nga Korça apo edhe zona të tjera që kanë shkronjën ë dhe ç. Gabimet në sistem duhet të riparohen, sepse në të kundërt mbeten pa kartë identiteti dhe numri i tyre është mjaft i madh".
Gjoza sqaron se një tjetër problem i hasur nga qytetarët është datëlindja në 29 shkurt, datë që kompjuteri i kartave të identitetit nuk e njeh dhe çorienton të gjitha të dhënat e tjera. "Ne kemi raste të tilla, p.sh. një burrë nga Librazhdi i cili është endur për të aplikuar për kartë identiteti dhe ende s'ka mundur.
Edhe ky problem do të zgjidhet pas riparimit të sistemit".
Përgjegjësi i Zyrës së Aplikimeve, megjithëse nuk ka dashur të japë të dhëna, ka sqaruar se Regjistri Kombëtar i shtetasve është shkruar me gërmat e dhe c, dhe jo me gërmat ë dhe ç siç është në gjuhën shqipe.
Kur përpiqen të riparohen shkronjat e shqipes, sistemi çorientohet dhe regjistron gabim një tjetër element të gjeneraliteteve dhe kështu banorët që kanë një shkronjë ë apo një ç në gjeneralitetet e tyre, do të duhet të presin.
Sipas kësaj zyre, problemet do të rregullohen me riparimin e sistemit, ndoshta, brenda një muaji.
Razie Kalanxhi banon në Elbasan, por si vendlindje ka Libohovën.
Ajo ka prerë kuponin, ka mbajtur radhën për të bërë aplikimin në stendën përkatëse, por kur i ka referuar dokumentin e identifikimit punonjëses, ka mësuar se për shkak të vendlindjes së saj, e cila mbaron me gërmën ë, nuk mund të aplikojë. Sipas saj, kompjuteri e regjistron gabim dhe kjo nuk e bën të vlefshëm aplikimin.
Razija thotë se ka paguar paratë dhe madje mund të penalizohet në rast se nuk aplikon. Ajo ikën mjaft e acaruar nga zyra duke thënë se tani duhet të kthehet pas një muaji, me shpresën se kompjuteri mund të jetë rregulluar.
--------------------------------------------------------------------------------------------------
Elbasan, 18 mijë vetë pa pasaportë
Duket se gërmat nuk janë të vetmet gjëra që nuk po ecin në procesin për kartat e identitetit. Aplikuesit nuk janë vetëm ata që nuk disponojnë pasaportë, por edhe ata të pajisur me dokumentin për jashtë shtetit.
Radha është problem më vete për portën hyrëse të kësaj zyre. Janë 18 mijë vetë që nuk disponojnë pasaportë në Bashkinë e Elbasanit. Kjo zyrë bën rreth 300 aplikime në ditë dhe përmbi një muaj nga fillimi i procesit janë realizuar rreth njëmijë aplikime, ndërsa numri i kuponave të shitura nga Posta është rreth 15 mijë.
Përgjegjësit e zyrës së aplikimeve evitojnë të japin informacion mbi numrin e aplikimeve dhe problemet që hasen. Ata mjaftohen duke thënë se nuk kanë të drejtë të japin informacione, ndërsa qytetarët presin në radhë për të bërë këtë aplikim.