E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari i FBI, mashtrim 2 milionë dollarësh

Gjergj Hajati u arrestua teksa po tentonte të largohej në drejtim të Malit të Zi. Prej një viti fshihej në Shkodër

TIRANË- Shkodrani 31-vjeçar, i cili është arrestuar dy ditë më parë me kërkesë të FBI-së amerikane, dyshohet se ka vjedhur me anë të mashtrimit rreth dy milionë dollarë. Gjergj Hajati u arrestua teksa po tentonte të largohej në drejtim të Malit të Zi.

Burime nga policia e shtetit thanë se ai u kap në afërsi të kalimit Kufitar të Hanit të Hotit teksa po përpiqej të largohej nga Shqipëria. Hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së 31-vjeçarit Hajati nisën disa muaj më parë nga ana e Agjentëve të Departamentit Amerikan të Shtetit pranë Ambasadës Amerikane, agjentëve të FBI në bashkëpunim me Interpol Tiranën duke bërë të mundur dhe gjetjen e kapjen e tij.

Sipas policisë së shtetit, Gjergj Hajati është shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e distriktit Harford, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka lëshuar urdhër arrest", më datë 24 janar të vitit 2008, duke e akuzuar 31-vjeçarin për veprën penale të mashtrimit në fushën e kredive në vlera shumë të mëdha dhe falsifikimit.

"Vepra këto të parashikuara nga neni 18, Seksioni Nr.1341 i Kodit Penal të SHBA, në të cilën parashikohet deri në 30 vite burg",- thuhej në deklaratën për shtyp. Burime nga policia thanë se rreth dy vjet më parë, Hajati, me anë të dokumenteve false, ka mundur të mashtrojë në fushën e kredisë persona të ndryshëm, duke përfituar rreth dy milionë dollarë.

FBI-ja e shpalli në kërkim atë, ndërsa pas hetimeve zbuloi se ai fshihej në Shqipëri duke sinjalizuar Interpol Tiranën.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›