Anëtarë të komisioneve përfituan toka padrejtësisht
GJIROKASTËR- Ish-anëtarët e komisioneve të ndarjes së tokave kanë përfituar sipërfaqe shtesë në mënyrë të padrejtë. Ky fenomen si dhe ato të mbivendosjes së pronave dhe kalimet e pronësive janë problemet më të shpeshta në qarkun e Gjirokastrës. Konstatimet janë kryer gjatë verifikimeve në terren nga ana e Komisionit Vendor për Vlerësimin e Titujve të Pronësisë në 8 njësi të qeverisjes vendore.
Kështu, gjatë këtij procesi, i cili ka përfshirë komunat Qesorat, Toç e Dragot në rrethin e Tepelenës, Jorgucat e Arshi Lengo në rrethin e Gjirokastrës, Çarshovë në rrethin e Përmetit, si dhe bashkitë e Këlcyrës dhe Libohovës janë evidetuar një sërë problemesh të mprehta në lidhje me tokat, kryesisht ato bujqësore. "Gjatë verifikimeve janë gjetur më shumë mbivendosje, pra, për të njëjtën sipërfaqe ekzistojnë dy pronarë. Tjetër gjë është gjetur se gjatë hipotekimit, sipërfaqja e tokës së marrë nga një pronar është regjistruar në emër të një pronari tjetër dhe kjo ka ndodhur për faktin se gjatë rilevimeve dhe përditësimeve të kryera në vitet 1998-2000.
Në disa fshatra janë bërë gabime dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme vazhdon të punojë me këto përditësime dhe aktet e marrjes së tokave në pronësi me certifikatat e pronësisë kanë kështu një ngërç të madh", -ka theksuar kryetari i këtij komisioni, Pandeli Toli. Por, më problematike mbetet përfitimi i padrejtë i sipërfaqeve të tokave nga ish-komisionerët, një fenomen ky i vërtetuar në komunën e Dragoit në rrethin e Tepelenës, ndërsa po verifikohen edhe në njësitë e tjera të qeverisjes vendore. "Edhe në zona të tjera është vërejtur ky fenomen, por ende nuk kemi arritur të bëjmë matjet për t'i verifikuar saktësisht. Për të gjitha konstatimet janë kryer procesverbalet përkatëse",- tha Toli. Qysh prej 15 tetorit, kohë në të cilën filloi funksionimin Komisioni Vendor për Vlerësimin e Titujve të Pronësisë, në qarkun e Gjirokastrës janë depozituar rreth 130 ankesa.