E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien akuzat për "vrasësin" e emigrantit

Shkëlqim Alliu u arrestua për vrasje, por do të mbahet në burg për "armëmbajtje pa leje"

TIRANË - Bien akuzat për Shkëlqim Alliun, i arrestuar më 10 mars si autor i dyshuar i vrasjes së emigrantit Shpëtim Xhelollari. Tashmë në qeli ai do të qëndrojë vetëm për "armëmbajtje pa leje" për armën që iu gjet në banesë pak pas vrasjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se dyshimet e para për Alliun si autor kanë rënë, ndërsa tashmë ata janë në kërkim të të dhënave të tjera që mund t'i çojnë në gjurmët e autorit të vërtetë të vrasjes.

Shpëtim Xhelollari, babai i një djali 12 vjeç, u vra rreth orës 19:00 të datës 10 mars të këtij viti pak metra larg banesës së tij, pranë ish-parkut të autobusëve, në rrugën "Babë Rexha" në Tiranë. Vetëm pak orë pas krimit, oficerët e policisë kriminale arrestuan si autor të dyshuar Shkëlqim Alliun, ndërsa në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip-automatik.

Nga hetimet e para u zbulua se djali i Xhelollarit kishte shpesh zënka me djalin e Alliut, çka çoi në dyshimet se ky i fundit e kishte vrarë pas një debati për këtë motiv. Por, ndërkohë, i paraqitur në gjykatë, Shkëlqim Alliu dha një alibi për vendndodhjen e tij në çastin e vrasjes së Xhelollarit, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga akuza.


Provat jo të plota se Shpëtim Alliu mund të jetë autori i vrasjes së emigrantit Shpëtim Xhelollari, e ka detyruar policinë të nisë hetimet për të zbuluar shkaqet dhe autorin e vërtetë të krimit. "Policia dyshon se vrasja mund të ketë ndodhur për arsye personale mes viktimës dhe autorit.

Megjithatë, ende nuk dihet autori i këtij krimi. Janë marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve edhe bashkëshortja e viktimës, e cila ka deklaruar se nuk kish dijeni që burri i saj të kishte konflikte", -u shprehën për gazetën burimet policore. 38-vjeçari Shpëtim Xhelollari kishte vetëm tre muaj që ishte kthyer nga Greqia ku emigronte shpesh, ndërsa bashkëshortja dhe djali i saj 12 vjeç banonin në rrugën "Babë Rexha" në Tiranë ku ishin vendosur që prej 17 vjetësh, kohë kur ishin shpërngulur nga Korça.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›