E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rrëzon kërkesën e Kastriot Jaupit për sjelljen në afat të gjykimit



Gjykata e Apelit të Vlorës ka hedhur dje poshtë kërkesën e Kastriot Jaupit për rihapjen e dosjes për vrasjen e kolonel Ilir Ngresit. Ish-“i tmerrshmi” i Beratit pretendon pafajësinë. Ai ka kërkuar rihapjen e dosjes, pasi vendimi ndaj tij është marrë në mungesë dhe nuk ka mundur të paraqesë para trupit gjykues provat dhe faktet për të provuar pretendimet e tij. Por kërkesa e të dënuarit me burgim të përjetshëm është hedhur poshtë nga trupi gjykues. Kastriot Jaupi u ekstradua një muaj më parë nga Spanja në Shqipëri. Jaupi, dikur mik dhe më pas armik i kapobandës së Beratit, Altin Dardha (i vrarë), është dënuar për vrasjen e kolonelit të policisë, Ilir Ngresi, në dhjetor të vitit 2000. Sipas vendimit të gjykatës, Kastriot Jaupi qëlloi mbi Ngresin për motive hakmarrjeje, pasi gjatë një operacioni policor të organizuar nga ky i fundit në vitin 1997 në Urën Vajgurore, mbeti i vrarë vëllai i tij, Iliri. Gjithashtu, Ilir Ngresi në atë kohë shef krimesh në Berat, po hetonte për ngjarjet e '97-s, ku Kastrioti ishte jo pak i implikuar. Ish-“i forti” i Beratit ishte dënuar dhe në Itali për shfrytëzim prostitucioni, por Drejtësia spanjolle e dorëzoi atë në Shqipëri.

Shkollë Rajonale për Administratën Publike

Tiranë - Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, nënshkroi në Podgoricë Marrëveshjen e Themelimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike. Rreth 200 punonjës të Administratës Publike do të trajnohen çdo vit nga Shkolla Rajonale e Administratës Publike. Marrëveshja e Themelimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike është nënshkruar nga Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Kjo shkollë është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Europian dhe OECD-së, financuar kryesisht nga BE-ja. Zëvendësministri i Brendshëm, Strazimiri, duke përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Themelimit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike pohoi: “Marrëveshja, më shumë se sa dëshira për një shkollë rajonale, përbën provën se Ballkani nuk është më burim konfliktesh në Europë, por shembull bashkëpunimi”. Shkolla Rajonale e Administratës Publike siguron trajnim për punonjës të shërbimit publik, nëpërmjet seminareve dhe shkollave verore/dimërore, si dhe nëpërmjet skemave të lëvizjes duke u dhënë mundësi punonjësve të shërbimit publik të përfitojnë eksperienca në vendeve të ndryshme. Në këtë kuadër ReSPA vepron për të përmirësuar kuadrin institucional për menaxhimin e trajnimit dhe edukimit të cilësisë për administratën publike. ReSPA stimulon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike të vendeve të mësipërme dhe institucioneve të ngjashme të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›