Raporti i INSTAT-it: “Ndërtimi, në 10 muaj, ka shënuar rënie me 20 për qind”
Shkaqet, mungesa e blerësve dhe rritja e kostos së ndërtimit. Kriza në sektorin e ndërtimit rrezikon rritjen ekonomike
Ervin Koçi
Sektori i ndërtimit deri në tetor të këtij viti arriti një nivel të shitjeve rreth 20 për qind më të ulët sesa vitin e shkuar, ndërkohë që rënia u pasqyrua edhe në sasinë e sipërfaqeve të ndërtuara dhe në volumin e punimeve të kryera. Të dhëna zyrtare të publikuara edhe në një raport më të fundit të INSTAT-it, flasin për një situatë ku sektori i ndërtimit ka zvogëluar kontributin e tij në rritjen ekonomike të vendit nga 12 për qind që ishte vitin e kaluar për 10 muajt e parë të vitit, në rreth 8 për qind gjatë këtij viti. Në të vërtetë, rënia në sektorin e ndërtimit gjatë këtij viti është vijim i rënies së nisur që prej tre vitesh, megjithëse këtë vit ajo është më domethënëse. Të dhënat thonë se në rast se nuk do të ishte rruga “Durrës-Kukës”, e cila merr një sasi të madhe parash dhe kryen një volum të madh punimesh, sektori i ndërtimit do të ishte në gjendje më të dobët sa u takon të dhënave. Numri i lejeve të ndërtimit ka qenë rreth 25 për qind më i ulët, por nuk ka qenë vetëm rënia e numrit të lejeve shkaku i rënies në ndërtim. Çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur me rreth 22 për qind tregojnë të dhënat dhe shitjet e pakta kanë penguar rigjenerimin e fondeve. Çmimet në ndërtim gjatë 10 muajve të parë të këtij viti janë rritur më pak nga sa ato janë rritur nga viti në vit. Kjo është një tjetër shenjë se ky sektor është në vështirësi. Raportet zyrtare flasin se kriza e sektorit të ndërtimit, që nisi një vit më parë, po i shfaq efektet e saj negative edhe në zinxhirin e sektorëve të ekonomisë që e furnizon atë. Bizneset e tullave, çimentos, hekurit, duralumineve dhe hidrosanitareve konfirmojnë rënien e shpejtë të financave dhe thellimin e mungesës së likuiditeteve.
Raporti i BSH-së
Sipas një raporti të ngjashëm me atë të INSTAT-it, edhe Banka e Shqipërisë, në një raport të sajin për këtë sektor, flet se për vitin që lamë pas, një pjesë e mirë e treguesve në ndërtim kanë pësuar rënie të ndjeshme. Kështu, “rritja vjetore e shitjeve ka qenë vetëm 5.4 për qind nga 20 për qind që rezulton mesatarja e tre viteve më parë”. Rënie ka pasur edhe në nivelin e punësimit në këtë sektor me 4.3 për qind. Ndërtime të reja gjatë vitit 2007 janë ngritur 11.7 për qind më pak dhe njëkohësisht edhe ritmi i ndërtimit ka rënë me 9 për qind. Ky nivel është 6 për qind më i lartë se 3 muaj më parë dhe gjithashtu 9 për qind më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, me gjithë vështirësitë që ka pasur sektori i ndërtimit nuk ka çuar në një ulje të tendencës së çmimeve në këtë sektor, që është ndikuar përgjithësisht nga mungesa e ndërtimeve të reja.
Shtrenjtimi i tullave
Sektori i industrisë së tullave sot numëron një numër të konsiderueshëm kompanish prodhuese, por është në vështirësi mjaft të mëdha financiare, sidomos gjatë këtij viti. Situata nuk pritet të përmirësohet as këtë vit, kur për 18 muaj rresht në Tiranë janë dhënë vetëm 50 leje ndërtimi. Por gjithsesi tregu nuk mundet të mbahet as me ndërtime të vogla, sepse potenciali i madh janë pallatet dhe ndërtimet e mëdha. Nga ana tjetër, kompanitë nuk mund t’i bëjnë presion ndërtuesve për të mos funksionuar më me skemën e “kleringut” (shkëmbim mall me mall), sepse konkurrenca është mjaft e lartë dhe janë të shumtë ato biznese që pranojnë të operojnë me të.
Shtrenjtimi i hekurit
Sektori i hekurit, ashtu si dhe industritë e tjera të lidhura me ndërtimin, prej vitesh punon me kleringun dhe tani po vuan mungesën e likuiditeteve në këtë sektor. Për biznesmenët e hekurit është bërë një fenomen shqetësues edhe luhatja e madhe e çmimeve që pati ky produkt gjatë këtij viti. Në fillim të vitit 2008 çmimet thuajse u dyfishuan, ndërsa tani që ai është ulur sipërmarrësit ankohen se dalin me humbje, pasi kontratat i kanë me çmimet e vjetra.
Çmimi i çimentos
Industria e çimentos është mbërthyer gjithashtu nga kriza e ndërtimit që në fillim të vitit të kaluar. Për këtë industri, që shërben si një nga kryesoret për sektorin e ndërtimit, ulja e numrit të apartamenteve dhe godinave të reja që ndërtohen është një shqetësim mjaft i madh. Por administratorët e kompanive thonë se gjatë këtij viti janë bërë shumë problematike vonesat në pagesa nga ana e kontraktuesve. Për këtë sektor ende vazhdon problemi i tkurrjes së ndërtimeve, që është reflektuar në rënien e konsumit të çimentos në vend. Muajt e fundit ka pasur edhe një rritje të ndjeshme të kostove, kjo si pasojë më së shumti e çmimeve tepër të larta të kostos së transportit prej karburanteve. Përllogaritet që firmat kanë një rënie të fitimeve si rrjedhojë e shtrenjtimit të kostove deri në 10 për qind. Aktualisht, në Shqipëri çimentoja prodhohet vetëm nga dy fabrika, në Elbasan dhe Fushë-Krujë. Kompani të tjera, janë vetëm importuese dhe përpunuese të saj.
23 Nentor 2008