E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionistët falsë, katër zyrtarë të lartë në pranga për falsifikime

Në arrest ish-drejtues të institucioneve të Sigurimeve Shoqërore. Hetimi nisi në disa qytete, por u përqendrua te “bosët” në Tiranë

Habjon Hasani

Tiranë - Pranga për katër ish-zyrtarë, që kundrejt pagesës kishin mundur t’i “shndërronin” dhe gjimnazistët në minatorë të vjetër e pensionistë. Operacioni i policisë është kryer gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit në qytetin e Tiranës. Të arrestuarit janë Agim Mema, ish-shef kuadri në minierën e Mushqetasë, aktualisht punonjës i Albminiera në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe funksionar në sindikatën e minierave, Zija Mema me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në DRSSHT, Fatbardha Sela ish-përgjegjëse në zyrën e Sigurimeve Shoqërore, aktualisht me detyrë specialiste në IKSH, si dhe Flora Ceko, ish-inspektore e pensioneve në INSIG, aktualisht me detyrë ekonomiste në një firmë private. Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhënë pensione false për minatorët. Prokuroria dyshon se të arrestuarit kanë përgatitur 200 dosje false pensionesh minatori dhe se për çdo pension fals ato merrnin deri në 200 mijë lekë ryshfet.
Aksioni
Prej gati dy vjetësh në korridoret e institucioneve shtetërore të Sigurimeve Shoqërore vlonin komentet mbi abuzimet dhe kontrollet e herëpashershme të prokurorisë. Në disa rrethe të vendit prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin, ndërsa hetimet u përqendruan në Tiranë pastaj, pasi nga dokumentacioni u kuptua se “drita jeshile” jepej nga zyrtarët eprorë në kryeqytet. Vetëm dy muaj më parë Drejtoria Rajonale e ISSH-së në Kukës ka dërguar në institucionet e Drejtësisë 120 dosje të minatorëve nga rreth 260 të hequr momentalisht nga skema e pensioneve. Burimet thanë se kjo drejtori ka vërejtur shkelje në këto dosje dhe për këtë arsye ka ngritur padi ndaj 17 punonjësve të Sigurimeve Shoqërore. Kancelari i Gjykatës së Faktit në Kukës, Shikim Korbi, pohon se 13 prej punonjësve të Sigurimeve Shoqërore e kanë kaluar tashmë procesin gjyqësor. Minatorët që kanë humbur pensionet kanë protestuar shpesh dhe pjesa më e madhe pretendojnë se pensionet u janë hequr pa të drejtë. Që prej disa kohësh prokuroria dhe vetë Instituti i Sigurimeve kanë nisur hetimet për abuzimet e bëra me pensionet, kryesisht për sektorin e industrisë minerare. Nga verifikimet e bëra të dosjeve të pensioneve janë konstatuar shkelje në rrethet e Durrësit, Dibrës, Mirditës, Elbasanit dhe së fundi edhe në Kukës.
Ekspertimi
Laboratori Qendror Kriminalistik ka marrë fillimisht në dorëzimin dosjet e 12 personave që dyshohet se përmes dokumenteve false kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000. Dokumentet janë marrë në dorëzim pak kohë më parë nga Laboratori dhe priten përfundimet e tij për të hedhur më shumë dritë mbi aferat e dyshuara. Pas ekspertizës së dokumentacionit ky laborator “zbardhi” dhe emrat e të implikuarve në mashtrimet me pensionet. Pak ditë më parë policia sekuestroi 200 dosje në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në të gjitha këto dosje, ku individë të ndryshëm kanë përfituar pension, janë kryer shkelje dhe falsifikime dokumentesh. Policia e Tiranës ka nisur disa muaj më parë, fare rastësisht, një hetim të gjerë ndaj disa personave, mes tyre edhe ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pasi dyshohen për disa akuza, si: “mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve” dhe “vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara”. Hetimi u përshkallëzua kur pas disa denoncimeve sporadike, kontrollet zbuluan një “mal” me dosje të falsifikuara.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›