INSTAT: “Çmimet e produkteve të konsumit kanë nisur tendencën rritëse”
Çmimet e produkteve të konsumit kanë nisur një tendencë të lehtë rritjeje, kjo e vërejtur kryesisht në produktet bujqësore dhe më kryesisht tek ato të importit. Por, sipas INSTAT-it, rritja e lehtë ka nisur që muajin e kaluar, ku ajo nisi të ndihej në një pjesë të artikujve të konsumit. Kështu, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin tetor 2008 arriti 101.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një rritje 0.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin tetor është 2.8 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.2 për qind. Indeksi i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje 0.8 për qind, me një ndikim prej 0.3 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 5.0 përqindësh vërehet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të domateve me 34.3 për qind, të specave me 17.6 për qind, patëllxhanëve me 19.3 për qind, kastravecave me 18.3 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje 0.8 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të mollëve me 5.5 për qind, kivit me 3.7 për qind, portokajve me 1.1 për qind etj. Gjatë muajit tetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, ”mish” 0.8 për qind, “bukë e drithëra” 0.1 për qind, ”qumësht, djathë e vezë” 0.7 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një rritje 0.3 për qind, me një ndikim prej 0.01 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” nuk ka ndryshuar, por brenda tij çmimi i duhanit u ul me 0.2 për qind. Indeksi i grupit “hotele, kafene dhe restorante” shënoi një rritje 1.1 për qind. Kjo rritje është rezultat i rritjes së pagesës për konvikte me 8.1 për qind.
23 Nentor 2008