E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja Kombëtare e PS-së njihet me raportin për Kodin Zgjedhor



Anëtarëve të Asamblesë Kombëtare u është shpërndarë dje një raport nga kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ka raportuar në lidhje me ecurinë dhe kontributin që dha Partia Socialiste për hartimin dhe miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Në raport thuhet se për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor u ngrit një grup prej 30 ekspertësh, të cilët punuan në grupe pune për pjesë e kapituj të veçantë të Kodit Zgjedhor. Deputeti Xhafaj ka sqaruar se gjithashtu janë konsultime me një grup të gjerë ekspertësh, politikanësh që janë marrë me zgjedhjet, si dhe anëtare aktualë apo ish-anëtarë të KQZ-së. Në raport theksohet gjithashtu se për hartimin e Kodit janë realizuar edhe disa pyetësorë, ku janë vjelë mendime konkrete për Kodin nga më shumë se 70 sekretarë, anëtare kryesie, anëtarë asambleje, ekspertë të PS-së, në qendër dhe në rrethe, ekspertë të pavarur të shoqërisë civile etj. “Gjithashtu u analizuan dhe u studiuan rekomandimet, analizat dhe problemet e vërejtura nga OSBE/ODHIR-i. Dokumenti evidenton se, si pasojë e këtyre masave dhe të një analize të gjerë, u bë i mundur hartimi në gjuhën ligjore i disa opsioneve të diskutuara më parë edhe në strukturat drejtuese të partisë. Në përfundim të këtij procesi, Grupi i Eksperteve i ngritur pranë Sekretariatit të PS-së për çështjet Ligjore përgatiti një projekt të plotë të draftuar me nenet përkatëse, të dhëna për një sërë çështjesh, me disa alternativa për negocim e vendimmarrje. Drafti i përgatitur u negociua dhe u debatua gjerësisht për rreth 5 muaj në Komisionin e posaçëm Parlamentar dhe, veçanërisht, në grupin e ekspertëve të ngritur pranë këtij komisioni, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të dy forcave kryesore politike, por duke mos përjashtuar nga ky proces as partitë e tjera, kryesisht, ato aleate”, - thuhet në raportin që ju prezantua Anëtarëve të Asamblesë Kombëtare nga deputeti Fatmir Xhafaj.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›