E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni antidrogë “Fresku”, policia prangos Endri Balilin dhe Henri Shehun



Tiranë - Policia e Qarkut të Tiranës ndërmori gjatë 24 orëve të fundit një aksion tjetër, i koduar “Fresku”, duke sekuestruar një sasi prej 600 gramësh lëndë narkotike e llojit heroinë dhe duke arrestuar në flagrancë të rinjtë Endri Balili, 22 vjeç, Henri Shehu, 20 vjeç, të dy lindur e banues në Tiranë, prej disa ditësh në vëzhgimin e policisë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy të rinjtë u kapën në flagrancë në afërsi të fshatit Linzë të Tiranës dhe gjatë ndërhyrjes së punonjësve të Antidrogës ata tentuan të hidhnin nga automjeti lëndën narkotike. Të njëjtat burime saktësuan se kishte kohë që agjentët e sektorit të Antidrogës i mbanin në mbikëqyrje dy të rinjtë, ndërsa dje ata kanë ndërhyrë për t’i vënë në pranga në kushtet e flagrancës.

Aksidentoi me vdekje një shtetas, shoqërohet në polici Arben Shkëmbi, drejtuesi i mjetit

Tiranë – Policia ka vënë në pranga 23-vjeçarin Arben Shkëmbi, lindur dhe banues në Tiranë, pasi ai është identifikuar si autor i një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Dashamir Truka, 40 vjeç. Nga burimet e policisë mësohet se 23-vjeçari Shkëmbi drejtonte automjetin tip veturë, me targë BA 751 RJ, kur u përplas në rrugën Kamzë - Tiranë me viktimën Truka, që qarkullonte me një motoçikletë. Edhe pse 40-vjeçari u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ai nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve që kishte marrë në aksident, ndaj dhe ka ndërruar jetë vetëm disa minuta pas mbërritjes në spital.

Policia ndalon 5 persona, kishin kryer vepra të ndryshme penale

Tiranë – Uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë kanë ndaluar gjatë 24 orëve të fundit 5 persona për vepra të ndryshme penale. Burimet policore thanë se 24-vjeçari Gentian Gjuzi u vu në pranga pasi ishte dënuar me 4 muaj heqje lirie për dezertim nga ushtria, ndërsa Aranit Xeka, 32 vjeç, lindur dhe banues në Luz i Vogël, ishte denoncuar për vjedhje me anë të mashtrimit të shumës 4 300 euro. Po për vjedhje u ndaluan dhe të rinjtë Dorian Grori, 23 vjeç, dhe Enis Tela, 20 vjeç, të dy lindur dhe banues në Tiranë. Ndërsa Marjan Biçi, 30 vjeç, lindur në Shupenzë Dibër dhe banues në Laknas u ndalua, pasi gjykata e Tiranës e kishte dënuar me 3 muaj heqje lirie, për veprën penale “kundërshtim të punonjësit të policisë”.

Shkon në gjykatë çështja për një person të akuzuar për trafikim të miturish

Tiranë - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesi gjyqësor ndaj një personi që akuzohet se ka trafikuar nga Shqipëria në Greqi një të mitur, të cilin më pas e ka detyruar të lypë në rrugë. Lajmi është konfirmuar të shtunën nga burime pranë kësaj gjykate, të cilat pohuan mbërritjen e dosjes në ngarkim të shtetasit Kujtim D., i cili dyshohet për trafikimin për qëllime përfitimi në vitin 2002 në Greqi të një fëmije nga Tirana. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila hetoi për disa muaj me radhë çështjen, fëmija është dërguar në Greqi në mënyrë ilegale nga i pandehuri, i cili më pas e ka detyruar atë të lypë, duke përfituar kështu të ardhurat që fitonte ai nga “puna” që bënte në shtetin fqinj. I pandehuri Kujtim D. është proceduar në mungesë nga organi i akuzës pasi rezulton në kërkim nga organet policore. Nga të njëjtat burime mësohet se hetimet për këtë çështje morën shkas nga denoncimi që familjarë të të miturit bënë në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2007.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›