E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rrëzon lirinë me kusht për Abu Rayan



TIRANE - Administratori i pasurive të sheikut Yasin al Kadi në Shqipëri, jordanezi Hamzah Abu Rayan, i dënuar me kusht nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda rrezikon mbylljen në qeli. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ndryshoi vendimin e dhënë për të në dhjetor të vitit 2009 duke pezulluar lirinë me kusht. Vendimi u shpall dje nga pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të jordanezit të akuzuar për "fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit" në Apelin e Krimeve të Rënda. Sipas këtij vendimi u la në fuqi masa e dënimit prej 4 vitesh burg e caktuar për të edhe në Shkallën e Parë, por u pezullua liria me kusht. Kjo do të thotë që me ekzekutimin e këtij vendimi, Abu Rayan do të dërgohet të vuajë dënimin e tij në qeli. Ndërkohë që Abu Rayan ndodhet në gjendje të lirë, do të jetë prokuroria ajo që do të vijojë me ekzekutimin apo jo të arrestimit dhe dërgimin e tij në burg. Në dhjetor të vitit 2009, Hamzah Abu Rayan u deklarua "fajtor" nga Krimet e Rënda për akuzën e fshehjes së fondeve të dyshuara si financime të terrorizmit. Sipas akuzës, Abu Rayn, në funksionin e administratorit të bizneseve të sheikut Al Kadi, ka vjelë qira të objekteve edhe pse ato ishin të bllokuara. Po sipas akuzës, në vijim, paratë e fituara nga bizneset e Al Kadi transferoheshin në llogari bankare të paidentifikuara. Hetimi ndaj jordanezit Abu Rayan nisi kur sheiku Yasin Al Kadi u rendit në një listë të OKB-së si një nga financuesit e terrorizmit. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›