Nafta, importuesit: Do rritet çmimi
nertila maho
çmimet në tregun e karburanteve mund të rriten më tej gjatë muajve të ardhshëm. Arsyet i ka bërë të ditura dje shoqata e “Shoqërive Hidrokarbure” në një deklaratë për shtyp. Sipas Presidentit të Bordit në këtë shoqatë, janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar dhe me shumë mundësi do të ndikojnë edhe në vazhdim në çmimet e tregut të karburanteve. Duke ju referuar të dhënave në tregjet ndërkombëtare për 2010-ën, Shoqata thekson se kuotimi i produkteve gjatë periudhës janar-mars ka ndryshuar, duke pësuar rritje çmimi. Në Shqipëri këto efekte sipas kreut të shoqatës nuk janë ndjerë si rezultat i përdorimit të rezervave ligjore të sigurisë për karburantet. “Me përfundimin e përdorimit të rezervave ligjore të sigurisë, importet e muajit të fundit dhe të ditëve në vazhdim kanë dhënë efekte në rritjen e çmimit të tregtimit të hidrokarbureve”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë që nga ana tjetër vihet në dukje se rritje çmimi priten të sjellin edhe ndryshimet e fundit të parashikuara nga Qeveria shqiptare në ndryshimin e ligjit “Për Taksat Kombëtare” që pritet të hyjë në fuqi së shpejti. Nga ky ndryshim pritet një rritje prej 1 lekë/litër (benzine apo diesel), që llogaritet si taksa e karbonit. Një nga arsyet që është lakuar shpesh nga specialistët lidhur me shtrenjtimin e karburanteve është edhe forcimi i dollarit karshi lekut. Deri në janar 2010, kursi mesatar i këmbimit ka qenë 1 USD=93-95 lekë. Pas kësaj periudhe, 1 USD këmbehet mesatarisht me 102-103 lekë. E sikur të mos mjaftonte vetëm kjo shtrenjtimi lidhet edhe me pozitat e favorshme të euros përballë lekut. “Edhe pse produkti nuk kuotohet në euro në bursën ndërkombëtare, ndryshim i kursit të këmbimit të monedhës evropiane me lekun shqiptar ka dhënë efektet e tij në rritjen e çmimit të karburanteve, duke qenë se rreth 10 % e të gjitha shpenzimeve të kompanive hidrokarbure kryhen në këtë monedhë”, thuhet në deklaratën e SHSHH, ndërkohë që vihet në dukje që edhe investimet e kompanive të hidrokarbureve janë bërë me kredi në euro, çka rrit koston. Duke numëruar një mori arsyesh, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure lë të kuptohet një rritje të mëtejshme të çmimeve të karburanteve, duke i adresuar autoritetet shtetërore përkatëse thirrjen që të rrisin mbikëqyrjen e tregut për të mos lejuar abuzime.