Kukan: Liberalizimi, kuptim nëse do realizohej para verës
Aristir Lumezi
Një përfaqësi e Parlamentit Evropian kryesuar nga Eduard Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin do të zbresë në Tiranë të dielën për të parë nga afër sesi i ka plotësuar Shqipëria kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. “Koha është shumë e rëndësishme ndaj po shkojmë dhe kaq shpejt pa lajmëruar në Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do realizohej përpara pushimeve të verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, u shpreh Kukan. Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, holandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave Tanja Fajon. Vizita konsiderohet private për Parlamentin Evropian edhe pse me ftesë zyrtare të autoriteteve shqiptare. Eurodeputetët do të takojnë kreun e shtetit Bamir Topi, Kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtëm dhe atë të Punëve të Brendshme si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së. Por, nëse vlerësimet e ekspertëve për Shqipërinë pritet të jenë pozitive atëherë problemi qëndron tek BE. Për këtë arsye, i pyetur pse viziton Tiranën në këtë rast e jo Komisionin, Kukan shprehet se kërkon të shohë direkt në terren situatën. “Përpara se të shkojmë te Komisioni, ne duam të shohim vetë situatën në vend, të flasim me personat përgjegjës, do vizitojmë gjithashtu gjatë qëndrimit tonë atje, disa qendra kontrolli për çështjet teknike, në mënyrë që të kemi kështu më shumë peshë para Komisionit”, theksoi Kukan. Kryesuesi i Delegacionit Kukan tregoi se fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serbë në Evropë ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë. “Fakti që mediat raportuan çështjen e azilkërkuesve nuk po e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kanë qëndrim të qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, u shpreh Kukan.
Victor Bostinaru
“Moszgjidhja e krizës me kosto për vendin”
Qeveria shqiptare duhet të gjejë urgjentisht një zgjidhje për kërkesat e opozitës, pasi refuzimi i tyre do të sillte destabilitet politik në vend. Mesazhi vjen nga zv.kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, Viktor Bostinaru i cili vë në dukje se refuzimi në Kuvend i dy nismave të PS-së do të jetë me kosto për vendin. “Unë besoj se Zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit. Nëse jo Zoti Berisha duhet të jetë përgatitur për kostot” thekson zv/kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore në PE. Sipas Bostinaru, Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik në mënyrë që të çojë përpara reformat e kërkuara.