E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca: Tregu i gazit është monopol



Tregu i shërbimit të ngarkim shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm ka kufizime në konkurrencë. Në këtë përfundim ka dalë Komisioni i Konkurrencës, një muaj pas fillimit të hetimeve. Autoriteti në vendimin e tij bën me dije ekzistencën e një marrëveshjeje vertikale mes koncesionarit dhe një tjetër ndërmarrje, çka ka sjellë kufizim të konkurrencës në tregun e importit. Aktualisht Porti Vlora-1 nën administrim të ndërmarrjes “LA PETROLIFERA ITALO RUMENA” SPA është vënë në dispozicion vetëm të ndërmarrjes “KALAJA” sh.a, e cila ka të drejtën të shkarkojë dhe të depozitojë produktet e saj në depozita, ndërkohë që nuk u ka dhënë mundësinë ndërmarrjeve të tjera që operojnë në këtë treg për shkarkimin dhe depozitimin e këtij produkti. Duke vlerësuar këtë situatë, Autoriteti i Konkurrencës ka lëshuar ultimatum ndaj koncesionarit që në një afat jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i vendimit të bëjë të mundur ankorimin, shkarkimin, trajtimin dhe depozitimin e GLN-së, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë në këtë terminal. Po kështu është kërkuar ndalimi i marrëveshjes me ndërmarrjen tjetër dhe në rast moszbatimi të vendimeve, Konkurrenca ka parashikuar gjoba.
Hetimi i Autoritetit erdhi pas një sërë sinjalizimesh nga mediat. Gjatë inspektimeve të Autoritetit, përfaqësuesit e ndërmarrjes koncesionare deklaruan se aktualisht janë ndërtuar dy sfera për depozitimin e gazit me kapacitet 2 450 m3 secila, që përdoren deri në 2 000 m3 për arsye sigurie. Të dyja këto depozita sferike i janë dhënë në përdorim ndërmarrjes “KALAJA” sh.a dhe ndërmarrjeve e tjera importuese, për shkarkimin e gazit u është dashur të kontaktojnë paraprakisht me këtë kompani. Ndryshe nga sa sanksionon Marrëveshja e Koncesionit, ndërmarrja që e ka nën administrim ka shkelur disa nga pikat. Kështu në këtë marrëveshje thuhet se terminali është projektuar të funksionojë si një terminal shërbimesh të pavarura, i hapur për të gjithë operatorët e kualifikuar, veçanërisht në industrinë e naftës dhe koncesionarit nuk i lejohet të ushtrojë veprimtari tregtare për naftë, gaz dhe nënproduktet e tyre. “Sipas nenit 5, pika 7 të kësaj Marrëveshje, koncesionari gjatë afatit të koncesionit detyrohet të kryejë shërbimet përkatëse në lidhje me depozitat dhe me trajtimin e produkteve të naftës dhe gazeve të lëngshme të naftës, për çdo operator të licencuar kombëtar ose ndërkombëtar të interesuar të operojë me një terminal të pavarur të një niveli shumë të lartë”, thekson Autoriteti në Vendim duke vënë në pah shkeljet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›